Prindërit e binjakëve 8 vjeç nga Prishtina, Jeton Sopa dhe Emine Berisha-Sopa, po e konsiderojnë krim grevën e mësimdhënësve, e cila ka hyrë në javën e dytë.
Jeton Sopa ka thënë të martën në emisionin “SOT” në KTV, se ka vite që si prindër po jetojnë me frikën dhe ankthin e mbetjes së fëmijëve të tyre në shtëpi.
Sipas tij, shkollimi është e drejta elementare e secilit njeri dhe se edhe fëmijët dhe prindërit, ashtu si mësimdhënësit janë pjesë e shoqërisë dhe nuk duhet t’u mohohen të drejtat e tyre.
“Ata janë fëmijë, formimin intelektual ata tani fillojnë ta bëjnë dhe pikërisht në këtë kohë ata nuk janë në shkollë. Është krim kjo që po bëhet. Shkollimi është e drejta jonë elementare. Fëmijët tanë tash i kanë 8 vjet, qysh kur kemi filluar t’i çojmë në çerdhe ne jetojmë me këtë frikë, me këtë ankth, a po punon çerdhja nesër a s’po punon. Kjo po na e vështirëson jetën. Nëse mësuesit kërkojnë të drejta, edhe ne jemi banorë të kësaj shoqërie, të paktën të na lënë të jetojmë rehat. Nuk jam kundër grevave, as kundër të drejtave, as nuk më intereson a i realizojnë të drejtat e tyre apo jo. Mua më intereson t’i çojë fëmijët në shkollë”, ka thënë Sopa.
Bashkëshortja e tij, Emine Berisha – Sopa, ka thënë se janë në një situatë shumë të keqe si prindër. Ajo tha se pavarësisht se mundohet t’i aktivizojë binjakët e saj me mësime në shtëpi, ata nuk ndihen të motivuar për ta bërë këtë.
“Fëmijët s’kanë çka të bëjnë gjithë ditën në shtëpi. Është një humbje shumë, shumë e madhe. Shumë e vështirë për ne prindërit. Jemi shumë, shumë keq. E para është te motivimi i tyre në shkollë. Është zhgënjyese kjo situatë”, është shprehur ajo.
Berisha-Sopa ka kritikuar edhe Këshillin e Prindërve, duke thënë se nuk po tregohet këmbëngulës sa duhet.
Një ditë më parë, bashkëshortët kanë dërguar fëmijët e tyre në shkollën “Mehmet Gjevori” në Prishtinë, në shenjë proteste.
Ata i kanë ulur binjakët në bankat e shkollës dhe ua kanë sqaruar situatën me grevën, me kërkesën për hapjen e shkollave.
Mësimdhënësit janë futur në grevë që nga 25 gushti dhe ndër të tjera kërkojnë nga 100 euro shtesë në muaj deri në miratimin e Ligjit për Paga.


