Presidentja e Komisionit Evropian (KE), Ursula von der Leyen, është pritur në takim nga presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, me ç’rast në një konferencë për media është konfirmuar mbështetja e plotë nga KE për institucionet që të vendosin rend e ligj në gjithë vendin, duke përfshirë edhe vendosjen e targave RKS.
Von der Leyen tha se ardhja e saj në rajon dhe Kosovë rikonfirmon përkushtimin e Evropës në këtë periudhë për gjithë vendet, duke përfshirë këtu edhe Kosovë në rrugën e saj integruese për Bashkim Evropian.
“Patëm një takim shumë të mirë dhe pamë përparimin që ka arritur Kosova dhe vendi juaj tregon përkushtim të madh në rrugën për integrime dhe në përafrimin e plotë në sanksionet e BE-së që ka vënë kundrejt Rusisë si shkak i luftës në Ukrainë”, ka thënë ajo.
Presidentja e Komisionit Evropian ka thënë se Kosova ka bërë përparim për të luftuar krimin e korrupsionit dhe përparime në aspektin ekonomik.
“Jam aleat i juaji për liberalizimin e vizave dhe Kosova e them sërish që kemi plotësuar të gjitha kriteret. Detyra jonë është që të bindin tani vendet e BE-së dhe shumica janë në anën tuaj dhe do të bëjmë gjithçka që të ju përkrahim. Vendi i Kosovës është në BE dhe ju po e dëshmoni këtë për çdo ditë dhe BE nuk është e plotë pa Kosovën brenda. Kjo rrugë duhet të intensifikohet dhe BE është e4 përkushtuar për zgjerim dhe këtu do të ju mbështesim”, tha ajo.
Von der Leyen theksoi se lufta në Ukrainë, ka shkaktuar shumë probleme dhe ka terrorizuar popullin ukrainas.
Sipas saj, Rusia po tenton të bëjë çmos në ngritjen e çmimeve të energjisë, por BE nuk do të dorëzohet asnjëherë ndaj këtij shantazhi rus.
“Ne ju garantojmë një grand të menjëhershëm prej 75 milionë euro që do të jepet tash deri në muajin janar që të ju ndihmojmë për përballje me krizën aktuale. Pastaj do të kenë edhe një investim në grande që do të jetë 500 milionë për gjithë rajonin, e ku përfiton edhe Kosova”.
Presidentja e Komisionit Evropian (KE), Ursula von der Leyen, foli edhe për çështjen e konvertimit të targave ilegale në RKS, duke u dhënë këtu mbështetje të plotë institucioneve të Kosovës.
“Targat, është shumë e domosdoshme që rregullat dhe ligjet të respektohen në çdo shtet. Nëse ka nevojë për jë periudhë tranzicioni duhet të jetë, dhe për këtë me sa di po punohet. Por ligji duhet të zbatohet kudo”, ka thënë Von der Leyen.