Ka përfunduar takimi i kryeministrit Albin Kurti me përfaqësuesin Special të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak dhe ambasadorin amerikan në Prishtinë, Jeff Hovenier.
Pas përfundimit të takimit nuk ka pasur deklarim për media.
Kurti gjatë ditës ka zhvilluar takim edhe me ambasadorët e QUINT-it.
Zyra e kryeministrit ka njoftuar se temë qendrore e diskutimit ishte procesi i dialogut, propozimi evropian dhe rruga përpara.
Theksohet se Kurti i njoftoi ata me qëndrimet e Qeverisë përfshirë këtu edhe gjashtë pikat e prezantuara në Seancën e Kuvendit javën e kaluar në lidhje me marrëveshjen e Brukselit të vitit 2013.
Ndër të tjerash, ai tha se Kosova ka dëshmuar përkushtimin e saj për dialog përmes qasjes konstruktive dhe propozimeve kreative
Ndryshe, ditëve të fundit, të dërguarit nga Shtetet e Bashkuara dhe BE-ja kanë vizituar Prishtinën dhe Beogradin për t’i inkurajuar palët të pranojnë një propozim të ri “Franko-Gjerman”, që dy shtetet të normalizojnë raportet dhe të përshpejtojnë rrugëtimin e tyre drejt BE-së.
Dialogu midis Kosovës dhe Serbisë, nën ndërmjetësimin e BE-së, ka nisur më 2011, por vetëm disa prej 33 marrëveshjeve të arritura janë zbatuar deri më tani. Sipas kryeministrit Kurti, Serbia nuk i ka përmbushur shumicën e këtyre marrëveshjeve