Prapaskenat e vendimit për gjetjen e një zgjidhjeje me Serbinë lidhur me situatën e krijuar me targat ilegale, kryeministri Albin Kurti i ka shpalosur të shtunën në një intervistë për të përditshmen gjermane, Frankfurter Allgemeine Zeitung. Bazuar në pjesët e ndara për publikun nga intervista ende e papublikuar, Kurti ka bërë të ditur se për situatën e sigurisë në veri, ambasadori amerikan në Kosovë ka pasur më shumë informacione se sa ai. Për çështjet e ndërlidhura me veriun, dialogun dhe Serbinë, Kurti ka folur edhe para pjesëmarrësve në një kongres në Spanjë, ku ndodhet për vizitë
Paralajmërimi i ambasadorit amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, rreth sigurisë në veri të Kosovës ishte shkaku përse është bërë kompromis lidhur me targat ilegale, ka thënë kryeministri Albin Kurti në një intervistë për gjermanen “Frankfurter Allgemeine Zeitung”.
Marrëveshjen për targat, Kosova e Serbia e arritën më 23 nëntor, pas bisedimeve mbi gjashtorëshe të zhvilluara në Bruksel në nivel kryenegociatorësh.
Në një pjesë të intervistës ende të papublikuar tërësisht, Kurti ka theksuar se për gjendjen e sigurisë në veri ambasadori amerikan kishte më shumë informacione sesa ai.
“Kurti tha se ishte dakord për një kompromis në ‘krizën e targave’, pasi ishte paralajmëruar nga ambasadori amerikan në Prishtinë se situata në veri të Kosovës ‘mund të përkeqësohet rëndë dhe në mënyrë të pakthyeshme’. Ambasadori amerikan ‘kishte më shumë informacion se unë’ për situatën në veri, theksoi z. Kurti, duke përmendur ‘shqetësimet e sigurisë’, pa hyrë në detaje”, ka bërë të ditur gazetari i FAZ-it, Michael Martens.
Përkitazi me veriun, Kurti ka folur edhe në Kongresin e 26-të të Internacionales Socialiste, që është duke u mbajtur në Madrid të Spanjës, ku ndodhet për vizitë.
Aty ai ka theksuar se Serbia, me anë të përdorimit të ndikimit në veri, po mundohet që ta minojë sundimin e ligjit në këtë pjesë të Kosovës.
“Që nga mbarimi i luftës në vitin 1999, ata na kanë kërcënuar vazhdimisht me sjellje luftarake. Deri më sot, ata i mbajnë 48 instalime ushtarake dhe xhandarmërie në të gjithë kufirin e saj me Kosovën. Për më tepër, që nga shpallja e pavarësisë sonë në vitin 2008, ajo është angazhuar vazhdimisht në fushata që synojnë të minojnë shtetësinë tonë. Edhe pse në vitin 2010 Serbia kërkoi mendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për ligjshmërinë e pavarësisë sonë, ajo ka zgjedhur të mos i respektojë gjetjet e gjykatës”, ka thënë Kurti.
Një paqe e njëmendtë me Serbinë, ai ka thënë se është vështirë të arrihet përderisa Beogradi zyrtar nuk ndryshon qëndrim për krimet e kryera të luftës në Kosovë.
“Me një Serbi autoritare që refuzon t’i pranojë krimet e luftës nga e kaluara e afërt, e lëre më të kërkojë falje për to, madje edhe një modus vivendi është e vështirë të arrihet, e lëre më një paqe e vërtetë përgjatë vijave kantiane. Megjithatë, ne u angazhuam në dialog të hapur demokratik në Bruksel, të lehtësuar nga Bashkimi Evropian”, ka deklaruar ai.
Në kuadër të marrëveshjes, Kosova është dakorduar që të mos shqiptojë gjoba për ngasësit e automjeteve me targa ilegale, e Serbia të mos lëshojë targa të reja me akronime të qyteteve të Kosovës.
Bazuar në dakordimin e arritur, të dyja palët, me ndërmjetësimin e BE-së, do të angazhohen për normalizimin e marrëdhënieve, sipas propozimit evropian.