Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, kryeparlamentari Glauk Konjufca dhe kryeministri Albin Kurti kanë bërë homazhe te varrezat e familjes Jashari në Prekaz dhe kanë vizituar Kullën e Jasharajve ku janë pritur nga Rifat Jashari dhe anëtarët tjerë të familjes.
Presidentja Vjosa Osmani i ka ndarë Rifat Jasharit “Urdhrin e Lirisë”.
Këtë e ka bërë në një vizitë në shtëpinë e Jasharajve në 25-vjetorin e Epopesë së UÇK-së.
E pas vizitës krerët e shtetit janë ndalur dhe kanë dhënë nga një deklaratë të shkurtë për media.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani tha se sikurse çdo qytetar dhe çdo shqiptar kanë ardhur në Prekazin historik të Epopesë së UÇK-së për të nderuar ata që dhanë gjithçka për lirinë e vendit.
“Kjo është një mundësi që të gjithë të kujtojmë edhe gratë dhe fëmijët që nuk i kurseu regjimi gjenocidial i Serbisë dhe kujtimi për ta do të jetë i përjetshëm.
Kurse kryekuvendari Glauk Kojufca tha se rrënjët e vërteta të Ushtrisë Çlirimtare janë në sakrificën e familjes Jashari.
“Jemi këtu për të nderuar Epopenë e UÇK-së, sepse pas kësaj lufte heroike dhe pas flijimit të kësaj familje u bë UÇK gjithë Kosova dhe mandej edhe bashkësia ndërkombëtare na doli në krah… Kjo mbetet një nga ngjarjet më të rëndësishme të kombit, prandaj nderohet gjithmonë”, tha ai.
Pak fjalë tha edhe kryeministri i vendit Albin Kurti, i cili vlerësoi se Prekazi mbetet kryeqyteti i kryengritjes për çlirimin e Kosovës.
“Para 25 vjetësh tre brezat e Jasharajve luftuan tri ditë rresht për çdo minutë me mijëra forca policore të Serbisë dhe këtu ranë 59 veta. Ne kthehemi e rikthemi në kryeqytetin e kryengritjes shqiptare këtu në Prekaz, e cila i dha hovin vendimtar UÇK-së dhe pastaj çlirimit të vendit. Ne sot ndërtojmë institucione e bëjmë zhvillim ekonomik pa harruar asnjëherë se kujt ja kemi borxh këtë liri. I kujtojmë me mall pikëllim e dhembje, pro edhe me krenari dashuri e admirim. Lavdi dëshmorëve të kombit”, tha Kurti.