Skandaloze e të papranueshme e ka quajtur deklaratën e Ganimete Musliut, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, e cila ka kërkuar nga PDK-ja që të distancohet nga gjuha e tillë seksiste.
Haxhiu ka thënë se gjuha e deputetes së PDK-së, Ganimete Musliu ndaj presidentes Vjosa Osmani është manifestim i urrejtjes që shndërrohet në gjuhë seksiste nga dikush që në rrethana normale do të duhej ta luftonte atë.
“Kjo gjuhë është manifestim i mendimit, ndërkohë që pas saj ngelet vetëm veprimi… Gjuha e sotme e Ganimete Musliut, që nuk është e para herë, është skandaloze, e papranueshme dhe nga e cila do të duhej të distancoheshin të gjithë duke nisur nga partia e saj. Aq më e rëndë kur kjo bëhet nga dikush që mbahet për përfaqësues dhe ka përgjegjësi publike”, ka shkruar Haxhiu në Facebook.
Haxhiu ka shkruar tutje se deklaratat e Musliut duhet të cilësohen si dhunë dhe jo thjesht gjuhë.
“Ky lloj mendimi nuk është mendim i lirë, por mendim dhunues”.
Deputetja nga radhët e PDK-së, Ganimete Musliu është marrë sot me pamjen fizike të kreut të vendit, pasi presidentja Vjosa Osmani kreu fjalimin e saj sot në Kuvendin e Kosovës.
Osmani gjatë fjalimit të saj tha se “nuk do të zmbrapsem edhe atëherë kur më sulmoni me pamjen time”
Ndaj kësaj deklarate ka reaguar deputetja Musliu e cila ka përdorur gjuhë të ashpër në drejtim të presidentes.
“Si presidente ti do të mbahesh në mend veç si inatçore, kompleksgjike, përçarëse dhe urrejtëse deri në palcë! Meqë paske hyrë të kg. Po ta them troç: Do të mbahesh në mend si një GRUA që hyri në Presidencë me 100 kg e do të dalë nga aty me 50 kg”, ka shkruar Musliu.
E ndaj kësaj gjuhe ka reaguar edhe ministri i Bujqësisë, Faton Peci i cili vjen nga radhët e Partisë “Guxo”.
Peci ka i është kundërpërgjigjur deputetes së PDK-së, Ganimete Musliut. Ai në një status në Facebook i është drejtuar Musliut duke i thënë se: Gane, kilogramë për kilogramë, ti dhe partia jote jeni majmur duke e shfrytëzu Kosovën si plaçkë lufte. Milionat që keni ba ju nuk peshojnë me kg, por me okë. Keni hy në pushtet me panla e keni dalë milionerë.
Një reagim ka bërë edhe deputeti nga partia “Guxo”, Haxhi Avdyli, i cili tha se skena politike po ndotet nga deputete si “kjo”, është fyese për ata që kanë votuar deputet të tillë.