Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri ka bërë të ditur se subjekti politik që i takon do të marrë pjesë në takimin e nesërm të ftuar nga Ambasada amerikane për të diskutuar për formimin e Asociacionit.
Tahiri ka thënë se subjekti i tij do ta dërgojë përfaqësuesin e saj në këtë takim.
Pavarësisht se nënshkrimin e marrëveshjes për themelimin e Asociacionit e kanë bërë PDK-LDK, tani Tahiri thotë se sa i përket përgjegjësive kushtetuese, PDK-ja është parti opozitare, porse çështjet e tilla sipas tij adresë duhet ta kenë kryeministrin Albin Kurti.
“Ne si opozitë nuk jemi përgjegjës për t’i dhënë drejtim një çështjeje të tillë. Në këtë rast kryeministri i vendit nuk mund t’i ikë përgjegjësisë, i kemi thënë nëse je kundër sille në kuvend po e rrëzojmë me vota, ai nuk ka guxim ta bëjë asnjë veprim, ky njeri i papërgjegjshëm duhet të japë drejtim”, ka thënë Tahiri.
Kujtojmë se marrëveshja për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë është nënshkruar 10 vjet më parë në Bruksel. Por, ajo nuk është zbatuar asnjëherë. Atë e nënshkruan krerët e Qeverisë që udhëhiqej atë kohë nga koalicioni LDK-PDK.


