Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë të premten se pret që vendimi për liberalizimin e vizave për Kosovës të merret më së largu deri në dhjetor, ndërsa tha se nga asnjë shtet nuk është kërkuar që të ketë kritere shtesë, pasi ato kanë përfunduar qysh më parë.
Osmani në një konferencë për media ka thënë se vendim për vizat do të duhej të merrej gjatë presidencës çeke.
“Nga shumica kam marrë garancion dhe jo vetëm që nuk do kërkojnë kriter shtesë, por do kundërshtojnë dhënien e kritereve shtesë, kritere teknike që kanë përfunduar më 2018. Nuk mund të vendosen tani kritere të reja teknike që do të bllokonin vendimmarrjen politike. Mirëkuptim kemi nga shumica dërrmuese, ka 2-3 shtete që i kanë disa shqetësime me të cilat po merremi intensivisht. Jemi duke u marrë me këtë temë me shpresë që në takimet e radhës që mbahen në nivel të grupeve të punës për viza, i pari është më 9 nëntor, të sigurohemi që mos të ketë bllokadë dhe pastaj të shkojë aty ku vendosin ambasadorët dhe pastaj në vendimmarrjen politike. Është e rëndësishme që vendimmarrja politike të përfundojë gjatë Presidencës Çeke. Po shpresojmë që vendimi merret më së largu deri në dhjetor dhe pastaj hyn në fuqi sipas praktikave të deritanishme që është deri në 6 muaj, e jo të lidhet me ETIAS që askush në Komisionin Evropian nuk e di se kur do të hyjë në fuqi. Ky do ishte diskriminimin ndaj qytetarëve”, ka thënë Osmani.