Lidhja Demokratike e Kosovës ka parashtruar disa kërkesa lidhur me rastin e ambasadorit të Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj.
Një prej kërkesave është edhe shkarkimi i Berishaj nga pozita si ambasador dhe hetimi nga Prokuroria e Shtetit mbi qarkullimin e parasë së kompanisë së tij, duke i përfshirë në hetim edhe kryeministrin, presidenten dhe ministren e jashtme, ka thënë deputeti Driton Selmanaj.
“Kërkesa e parë është që Kryesia e Kuvendit të hënën të vendosë që draft-raportin e shkruar nga komisioni hetimor ta procedojë në seancë plenare dhe seanca ti japë epilog këtij raporti. Kërkesa e dytë, LDK-ja kërkon shkarkimin e menjëhershëm të ambasadorit Berishaj, vlerësimet tona janë që standardet minimale të një vendi demokratik nuk e durojnë një sjellje të papërgjegjshme të tillë, pa paragjykuar vendimin përfundimtar. Kërkesa e tretë është që Prokuroria e Shtetit të zhvillojë hetime të qarkullimit të parasë së kompanisë së Berishajt, duke përfshirë në hetime dhe kryeministrin, presidenten dhe ministren e Jashtme. Kërkesa tjetër është që nëse ka pasur transaksione financiare të Berishajt edhe 2020-21-22, kërkojmë hetim nga prokuroria për të konstatuar nëse ka konsumuar vepër penale për deklarim të rremë kur ka dëshmuar para komisionit ku kishte thënë se firma e tij ishte themeluar më 2017 dhe se e njëjta nuk funksionon nga viti 2020”, ka thënë ai.
Selmanaj ka shtuar se Lëvizja Vetëvendosje kishte sabotuar Komisionin Hetimor në lidhje me menaxhimin e krizës energjetike nga Qeveria, pasi e kishte dështuar vendimmarrjen për raportin përfundimtar të këtij komisioni që duhej të votohej.
“Më 15 dhjetor e kishim afatin e fundit për hetimin parlamentar. Dy ditë para kësaj, kishim konsensus të plotë që pas dy dite të vendosim për votimin e raportit. Më 15 deputetët e VV-së vendosin ta sabotojnë komisionin përkundër që ne presim 45 minuta që ata të vijnë në komision, nuk më lajmërohen. Rrezikuan kuorumin dhe dështoi vendimmarrja për raportin përfundimtar. Sjellja e tyre tregon për përpjekjet e tyre për të penguar zbardhjen e së vërtetës dhe fshehjen e veprimeve të njerëzve të afërt me Kurtin, veprime që po marrin përmasa të një afere të madhe korruptive”.
Ndërsa, deputeti tjetër nga kjo parti, Besian Mustafa, ka thënë se rasti i ambasadorit Berishaj ka dërguar mesazh se Qeveria po “lufton ditë e natë jo kundër korrupsionit, por krah për krah me korrupsionin dhe të korruptuarit”.
“Kjo qeveri është zhytur në korrupsion që nga dita e parë. Kjo udhëheqësi jo që nuk po i shkarkon të korruptuarit, por po i mbron me gjithë arsenalin e saj. Korrupsioni i skajshëm i tyre përveç që ka shkatërruar qelizën e fundit në institucionet e Kosovës, ka shkatërruar reputacionin e shtetit në arenën ndërkombëtare”, ka theksuar Mustafa.


