Shefja e grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, ka dhënë detaje nga ajo se çfarë përmban plani franko-gjerman. Në diskutimin me temën “Momentumi i ri në raportet Kosovë – Serbi: Cila është rruga përpara?”, që është organizuar nga Instituti Demokratik i Kosovës, duke folur për planin franko-gjerman, Kusari – Lila ka thënë se plani është i ndarë në dy faza.
“Plani përmban zgjidhjen përfundimtare të ndarë në dy faza. Faza e parë nuk e përmban njohjen reciproke … Faza e dytë synon normalizimin e plotë. Në këtë propozim Kosova nuk ka qëndruar indiferente keni dëgjuar se zëvendëskryeministri Besnik Bislimi e kryeministri Albin Kurti, kanë thënë se është serioz, por refuzojnë të japin elemente të cilat tash veç i kanë përcjellë”, ka theksuar Kusari-Lila.
Ajo ka thënë se vazhdimisht i është kërkuar që plani franko-gjerman të quhet plan evropian.
“Ajo që doli tjetër është plani evropian, më është kërkuar vazhdimisht që ta quaj plan evropian e jo veç franko – gjerman, për arsye se ky plan nuk është plan franko- gjerman por plan evropian, që e ka mbështetjen e SHBA-së”, ka deklaruara Kusari-Lila.
Ka folur edhe për bojkotin e Listës Serbe, duke thënë se ka mbi katër muaj që ata nuk janë duke marr pjesë në seancat plenare.
“Ka mbi 4 muaj e gjysmë që Lista Serbe nuk merr pjesë në seancat. Arsyeja nuk është parimore por ka të bëjë me ruajtjen e Milan Radojiçiqit. Pakënaqësia e tyre është shfaqur në atë moment kur atij i është dhënë lajmi se Policia po e kërkon. Jo për ndonjë shkelje të të drejtave të dikujt”, është shprehur Kusari-Lila.