Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, ka thënë se marrëveshja e arritur mes Kosovës dhe Serbisë paraqet subjektivitetin e plotë të dy shteteve.
Kusari-Lila tha se në Ohër kanë marrë obligime si Kosova ashtu edhe Serbia.
“Një proces i cili tashmë ka kaluar pashmangshëm e me një qasje të drejtpërdrejtë është barazi. Palëve u drejtohen me emrat e shteteve Kosova dhe Serbia. Marrëveshja paraqet subjektivitetin e plotë të dy shteteve. Ky është një argument i rëndësishëm për procedimin e mëtutjeshëm të zbatimit të marrëveshjes. Në Ohër pos që ka marrë Kosova obligime ka marrë edhe Serbia”, tha Kusari-Lila në Kuvend.
Ajo i ka thënë opozitës se “e gjithë kjo kërkesë për njohje nga ana e Serbisë ta krijon përshtypjen thuajse kjo njohje ishte dikur dhe tash u tërhoq në Serbia”.
“Ajo ka qenë përveç një rasti kur është diskutuar shkëmbimi territorial. Edhe sot po të vendoset në tavolinë Serbia thotë se është e gatshme ta njohë Kosovën, sepse thotë mora diçka. Vetëm në atë stad presidenti i Serbisë do ta njihte Kosovën”, ka thënë Kusari-Lila.
Kusari-Lila ka thënë se Kuvendi i Kosovës mund të ndihmojë duke e mbikëçyrur marrëveshjen.
“Vlerësimi mbi suksesin duhet të bëhet me vlerësimin e vendit mbi rrugën e integrimit. Është e rëndësishme që të mos ketë asnjë çështje të hapur me Serbinë”, tha Kusari-Lila.