Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti është deklaruar pas takimit që ka pasur me kryeministrat e Benelux-it, Mark Rutte, kryeministër i Holandës dhe Xavier Bettel, kryeministër i Luksemburgut.
Kurti ka thënë se ka pasur nderin të pres në takim kryeministrin Rutte dhe Bettel.
“Sot pata nderin të pres në takim kryeministrat e Benelux-it, në këto kohë të rëndësishme për demokracinë. Në emër të popullit i falënderova për vizitën”, tha ai.
Kryeministri tha se me Holandën dhe Luksemburgun kanë marrëdhënie të shkëlqyera.
“Vendet kanë marrëdhënie të shkëlqyera, jemi mirënjohës për përkrahjen ndaj Kosovës. Mbështetja juaj për zhvillimin ekonomik na ka ndihmuar. Kem marrëdhënie të mira ekonomike me Holandën dhe Luksemburg”, u shpreh ai.
Kurti po ashtu ka thënë se ka ftuar zyrtarisht kryeministrin Rutte të planifikojë një konferencë Kosovë – Holandë për teknologji të informacionit.
Kryeministri gjatë konferencës së përbashkët me dy kryeministrat tha se ” Kam theksuar se Kosova është e gatshme për marrëdhënie të mira fqinjësore, dhe duam zgjidhje evropiane”.
Kurti tutje shtoi se lejimi i kalimit të Marrëveshjes Bazë, pa u nënshkruar nga të dyja palët ka qenë gabim i madh. Sipas tij fakti që ajo nuk është nënshkruar, i ka hapur rrugë shkeljes dhe moszbatimit të saj.
Në konferencën e përbashkët të mbajtur pas takimit që ka zhvilluar me kryeministrin e Holandës, Mark Rutte, dhe atë të Luksemburgut, Xavier Bettel, Kurti ka thënë se më Marrëveshjen Bazë, është arritur diçka që ka qenë e paimagjinueshme më parë.
“Lajm i mirë është se e kemi një marrëveshje dhe kjo duhet të vlerësohet sepse është mundësuar nga BE-ja, nën patronatin dhe ndërmjetësimin e BE-së, Komisionin Evropian, e kemi arritur një marrëveshjes që ishte e paimagjinueshme dy vjet më parë”, ka deklaruar Kurti.
Sipas tij marrëveshja përmban njohjen de-facto të Kosovës nga Serbia.
“Çdokush që i lexon këto 11 pika të marrëveshjes bazë do të vijë në përfundim që kjo është një njohje de-facto. Gjithsesi vështirësitë që i kemi është mungesa e implementimit, dhe kjo filloi duke e lënë këtë proces të kalojë pa nënshkrim nga të dyja palët, ky ishte një gabim i madh, sepse mosnënshkimi i marrëveshjes i ka hapur derën shkeljes ose mosimplementimit të saj”, ka theksuar Kurti.
Ai ka theksuar se ajo çka duhet është implementim i shpejtë i të gjitha pikave të Marrëveshjes, pa parakushte ose vonesa.
“Kjo është zgjidhja dhe duhet të intensifikohet dialogu për implementim, të saj, sepse marrëveshja është aty”, ka theksuar Kurti.
Ai ka thënë se nuk duhet të hiqet dorë nga marrëveshja e arritur.


