Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, ka reaguar ndaj Gjykatës Themelore në Prishtinë duke thënë se kjo Gjykatë po i neglizhon rastet të cilat kanë të bëjnë me interesin publik.
Ai ka kritikuar heshtjen e gjyqësorit për rastin e ndërmarrjes NPB ku kjo ndërmarrje vitin e kaluar u kishte dhënë pronën ndërtuesëve për ndërtimin e objekteve banesore dhe ku pretendohet se kja pasur shumë shkelje ligjore.
Një muaj më parë asamblistët e Lëvizjes Vetëvendosje në Komunën e Prishtinës, e kishin dërguar këtë rast në gjykatë ku kishin kërkuar që të vendosët masa e sigurisë për këtë çështje.
Janë bërë 30 ditë dhe kjo gjykatë nuk ka kthyer kurfarë përgjigje.
Kryeministri Kurti ka thënë se këto gjykata janë shumë efektive kur kërkesa të tilla bëhen nga partitë e tjera politike.
“Kush vendosë për shpejtësinë e reagimit të gjyqtarëve?
Si ndahen lëndët dhe pse nuk përdoret sistemi elektronik i menaxhimit të lëndëve?
Kush udhëheqë me pavarësinë e gjyqësorit?”, shkroi Kurti në Facebook.
Postimi i plotë:
Kuptimi i urgjencës, sipas Gjykatës Themelore të Prishtinës
Një muaj heshtje ndaj kërkesës së asambleistëve për masë të sigurisë, për mbrojtje të 17 mijë m2 pronë publike në Prishtinë. Masa e sigurisë, natyra e së cilës kërkon reagim të menjëhershëm të gjyqësorit, mbetet e pa adresuar për 30 ditë me radhë.
Në vendosje e sipër, në bazë të ankesës së Partisë Demokratike të Kosovës lidhur me tarifat e energjisë elektrike, Gjykata Themelore në Prishtinë vendosi për 3 ditë.
Pra, 30 ditë deri tani, për shqyrtim të kërkesës për mbrojtje të pronës publike. E 3 ditë për një çështje të afektuar nga kriza globale e energjisë elektrike.
Ndërsa kërkesëpadinë e ish drejtorit të Fondit për Sigurime Shëndetësore, Gjykata e trajton pas 48 orësh.
Kush vendosë për shpejtësinë e reagimit të gjyqtarëve?
Si ndahen lëndët dhe pse nuk përdoret sistemi elektronik i menaxhimit të lëndëve?
Kush udhëheqë me pavarësinë e gjyqësorit?