Ad image

Kurti e Schallenberg zotohen për rritje të bashkëpunimit

Kosova News
Kosova News 20:05 -14/06/2022

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, priti sot në takim shefin e diplomacisë austriake, Alexander Schallenberg, me të cilin ka biseduar mbi rritjen e bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve në ekonomi, tregti, edukim dhe kulturë.

Kurti tha se stabiliteti institucional dhe indikatorët pozitivë ekonomikë dëshmojnë se qeverisja demokratike dhe zhvillimi ekonomik shkojnë krahas njëra-tjetrës.

Ndërsa ministri Schallenberg, theksoi se do të dëshironte që Austria të jetë mes tre investitorëve kryesorë në Kosovë dhe që të rritet bashkëpunimi në ekonomi.

Duke folur për energjinë e ripërtëritshme, ai shprehu gatishmërinë e Qeverisë së Austrisë për të mbështetur Kosovën në këtë drejtim.

Schallenberg ritheksoi mbështetjen për liberalizimin e vizave për qytetarët e Republikës së Kosovës si dhe për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës.

Në takim u bisedua edhe për dialogun Kosovë-Serbi dhe qasjen konstruktive të Kosovës për arritjen e një marrëveshjeje ligjërisht të obligueshme, që në qendër ka njohjen reciproke.

Duke biseduar për rrethanat e reja gjeopolitike, kryeministri Kurti tha se mirëpret vëmendje të shtuar nga BE-ja në Ballkanin Perëndimor.

Ai ritheksoi synimet e Qeverisë për anëtarësim të vendit në Këshillin e Evropës dhe Partneritetin për Paqe të NATO-s, për çka edhe tha se shpreson në mbështetjen dhe lidershipin e Austrisë, për të ecur përpara në këto procese.

Nga të dy palët u vlerësua organizimi i Forumit të përbashkët Ekonomik në Kosovë, për mundësitë që ofroi në shkëmbimin e drejtpërdrejtë ndërmjet ndërmarrjeve të Kosovës dhe Austrisë./kp/

Shpërndaje