Kryeministri Albin Kurti është pyetur lidhur me 4,000 banesat e premtuara për çiftet e reja.
Kurti ka thënë se projekti për banim të përballueshëm është unik dhe krejtësisht i ndryshëm prej banesave për raste sociale që veçse ekzistojnë në Kosovë. Ai tregoi se është miratuar kredia prej 25 milionë euro nga Banka Zhvillimore e Këshillit të Evropës dhe shpejt pritet të vjen në Kuvend si projektligj dhe marrëveshje.
Kurti ka thënë se projekti “do të fillojë të zbatohet gjatë vitit 2023”, duke shtuar se varen nga komunat për dhënien e tokës komunale në shfrytëzim për banesat. Deri tash, janë siguruar lokacione në Prishtinë, Pejë dhe Gjilan, ka deklaruar ai.
“MMPHI më 16 shkurt 2022 ka nënshkruar marrëveshje për studim fizibiliteti me IFC-në për banim me kostro të përballueshme. IFC-ja në shkurt 2023 ka prezantuar para ministrit studimet dhe rekomandimet se si ky projekt mund të zbatohet në Kosovë. Studimi ka përfshirë, analizën e sektorit të banimit në Kosovë, modelin financiar që mundëson të analizojmë skenarë të realizimit dhe koston që Qeveria do ta bartë. Sipas IFC-së kostoja e ndërtimit është 200 milionë euro, që është një prej projekteve më madhore të Qeverisë sonë”.