Kryeministri Albin Kurti foli për punën e tij në dy vjetët e parë të mandatit në këtë post.
Në seancën parlamentare të enjten, ku në rend dite është shqyrtimi i propozimrezolutës për punën dyvjeçare të Qeverisë, Kurti ka thënë se “lista e ndryshimeve cilësore është e gjatë”.
Kurti ka thënë se janë shtuar 37 mijë vende punë në dy vjet qeverisje.
Ai ka thënë se fokusi i Qeverisë ka qenë në drejtësi dhe punësim.
“Prej asaj se si ligji që e rrit pagën minimale e deri tek fakti që trusti kishte humbje kur kishte bord e paradoksalisht ka fitim pa bord kjo flet për kontradiktën e pyetjes suaj. Do të flas për punën dhe drejtësinë si shtyllat e qeverisjes sonë. Patëm rritje 10.7 për qind të brutoproduktit vendor në vitin e parë të qeverisjes, në të dytin 4 për qind. Nëse merret mesatarja e dy viteve është 7 për qind, më e larta. Janë dy vite dhe kemi ende shumë punë për të bërë në ndihmë të eksportit dhe prodhimit vendor, por situata ka ndryshuar për mirë. Deficitin buxhetor 2022 kemi arritur ta zvogëlojmë në rekord historik”, ka thënë Kurti.
Ai ka deklaruar se në kohën kur të kalojë ligji për pagën minimale në lexim të dytë “do të rriten edhe shtesat për lehonat”.
Për drejtësi, Kurti ka përmendur miratimin e Ligjit për Byronë për konfiskim të pasurisë, nisjen e punës për vetting, funksionalizim të Gjykatës Komerciale e arrestimin e mbi 3200 personave për korrupsion.