Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi e ka fajësuar kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti për prishje të raporteve me partnerët ndërkombëtarë në lidhje me tensionet në veri.
Krasniqi në seancën e Kuvendit të Kosovës ka thënë se në kohën kur Kosova gjendet në situatën më të rrezikshme, në vend se Kurti të sillet si kryeministër sillet si gazetar mediokër i një televizioni shtetëror.
“Në kohën kur Kosova gjindet në situatën më të rrezikshme, në vend si të sillesh si kryeministër sillesh si gazetar mediokër i një televizioni shtetëror. Nuk dite të ndërtoje as një fjalë, as qysh tek , as nuk i ke të bashkërenduara, i ke bërë në kundërshtim me ato që janë thënë, të duket mirë të dalësh të ju thuash mos u besoni mediave. Ti ja nise të lexosh komunikatat e Sveçlës, shqiptarët janë të shqetësuar për atë që është krijuar në veri të vendit. Zgjedhjet janë mbajtur në veri për shkak të gabimeve tua, nuk e ke mbajtur premtimin”, ka thënë Krasniqi.
Ai ka thënë se Kurti i ka dërguar në objektet komunale kryetarët e komunave ndërsa vetë qëndron në Prishtinë, të cilin e ka ftuar të shkojnë së bashku në objektet komunale dhe të shohin situatën nga afër.
“Masi po insiston kryeministër që Hetemi e Peci e Atiqi të shkojnë në ndërtesa komunale, pse spo shkon ti o zotëri? Po hymë bashkë në ato ndërtesa komunale, po shkojmë bashkë, pse po insiston të dërgosh tre persona që jetojnë në atë komunë, po u bën presion. Hajde shkojmë bashkë në veri, himë në zyre me kryetarët, lehtë është nga Prishtina”, ka thënë Krasniqi.
Ai ndër të tjera e ka quajtur Kurtin “çlirimtar” të serbëve pasi sipas tij flet vetëm për demokratizim të Serbisë e komunitetit serb, ndërsa populli i tij largohet nga vendi.
“Mos luaj, sot vetëm një qëllim e ke fol në fjalim, qëllimi mi çliru komunitetin serb, çlirimtar i serbëve, të demokratizojë Serbinë, kqyri punët e tua, po t ikin njerëzit, ti pi mban dertet e serbëve që jetojnë në Zubin Potok e Zveçan, nëse e ki qëllim me bo autonomi”, ka vijuar ai.
Ndryshe, veriu u trazua nga 26 maji, kur Policia e Kosovës i ndihmoi kryetarët shqiptarë të komunave me shumicë serbe – Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq – të hyjnë në objektet komunale, përkundër rezistencës së banorëve lokalë.