Ish-zëdhënësi i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Jakup Krasniqi, në fjalën e tij para trupit gjykues, tha se ai “urren dhunën, vrasjen e torturat”, jo sepse ai ka qenë subjekt i dhunës, por sepse “i konsideroj të ulëta”.
“Kushdo që më njeh do t’iu thotë, se unë Jakup Krasniqi, asnjëherë nuk kam qenë i përfshirë në asnjë vrasje, burgosje në asnjë formë të presionit ndaj kujtdo qoftë”, tha ai.
Ai po ashtu tha se nuk e kupton logjikën e aktakuzës së ngritur ndaj tij, duke shtuar se “ndaj popullit tonë është nënshkruar dhunë sistematike”.
Jakup Krasniqi, ish-zëdhënës i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ka thënë se ndihet i njollosur me aktakuzën e Gjykatës Speciale për krime lufte.
Ai e ka cilësuar absurde akuzën për persekutim të anëtarëve të Lidhjes Demokratike të Kosovës, pasi ka thënë se vetë ka qenë pjesë e kësaj partie.
“Është absurde të akuzohem për persekutimin e anëtarëve të LDK-së, kur unë isha vetë pjesë e kësaj partie”, ka thënë ai duke përmendur vëllain e mbesën si anëtarë të LDK-së edhe pas luftës.
Krasniqi ka deklaruar se ka qenë rol i tij si zëdhënës i UÇK-së që ta paraqesë si strukturë të mirorganizuar, por “kjo duhet parë si propagandë e asaj kohe”.
“Më ka lënduar aktakuza e ZPS-së, më shumë sesa burgjet e torturat nga Serbia”, ka thënë Krasniqi.
Ai ka pasur tri lutje në fjalimin e tij për Prokurorinë. Ka bërë thirrje që të “mos lejohen të përdoren mendimet e pasluftës për kohën e luftës”, që “shënimet e librit të mos keqpërdoren si dëshmi” e që “komunikatat e UÇK-së janë dëshmuar se kanë qenë si propagandë në rastin e gjykimit të Fatmir Limajt dhe Ramush Haradinajt”.
Për të parë gjykimin klikoni në linkun më poshtë:


