Kryeministri i vendit, Albin Kurti i ka ftuar dhe i pret sot në takim liderët e partive politike opozitare në vend, por jo të gjithë do të marrin pjesë.
Ftesa e Kurtit për takim me partitë opozitare është paraparë të mbahet sot në orën 12:00 dhe vjen pas intensifikimit të takimeve me ndërkombëtarët lidhur me procesin e dialogut.
Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, e ka pranuar ftesën e kryeministrit, Albin Kurti për t’u takuar.
Haradinaj tashmë ka arritur në ndërtesën e Qeverisë dhe ka nisur takimin e Kurtin.
Por nga Partia Demokratike e Kosovës dhe nga Lidhja Demokratike e Kosovës kanë bërë të ditur se nuk do të marrin pjesë në takimin e thirrur nga kryeministri Kurti.
Kujtojmë se ditëve të fundit janë intensifikuar ardhjet e ndërkombëtarëve në vendin tonë. Javën e kaluar për vizitë në vend ishte i dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ndërkaq gjatë kësaj jave ishte edhe i dërguari i ShBA-së, Gabriel Escobar.