Presioni që po i bëhet Kosovës për të themeluar Asociacionin e komunave me shumicë serbe, ka nxitur reagime të shumta sot, sidomos nga deputetët e zyrtarët e Lëvizjes Vetëvendosje.
Kësaj radhe është deputeti Salih Zyba që ka treguar se janë 33 marrëveshje që janë arritur në Bruksel, por 2/3 e tyre nuk zbatohen nga Serbia.
Ai ka shtruar pyetjen se a do të ketë së shpejti tryezë e reagim ndërkombëtar ndaj shtetit serb.
“Janë 33 marrëveshje në Bruksel. 2/3 nuk zbatohen nga Serbia. A do të ketë së shpejti ndonjë tryezë diskutimi apo reagim ndërkombëtar për marrëveshjet që Serbia nuk i zbaton e nuk i dëshiron? Duke filluar nga kjo e fundit për energji?”, ka shkruar Zyba.

Kohën e fundit faktori ndërkombëtar është duke rritur trysninë mbi Kosovën për zbatimin e marrëveshjes për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, ndërsa Qeveria e Kosovës vazhdon të kundërshtoj një krijim të tillë që bie ndesh me Kushtetutën e vendit.
Ndërkohë që Qeveria po kundërshton, faktori ndërkombëtar po planifikon takime me subjektet politike nga opozita dhe shoqëria civile për këtë çështje.
E sot me radhë e të shumta kanë qenë reagimet nga deputetët e Kuvendit të Kosovës nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, duke kundërshtuar një formë të tillë të ndarjes në vija etnike të Kosovës.
Kujtojmë se marrëveshja për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë është nënshkruar 10 vjet më parë. Por, ajo nuk është zbatuar asnjëherë. Atë e nënshkruan krerët e Qeverisë që udhëhiqej nga LDK dhe PDK.