Zëvendëskryeministri i parë i Kosovës, Besnik Bislimi, ka shpjeguar se çka nënkupton Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe, sipas propozimit franko-gjerman, për të cilin Kosova dhe Serbia u pajtuan të hënën në Bruksel.
Në një fjalim në Komitetin për Politikë të Jashtme në Parlamentin Evropian, Bislimi ka thënë se Marrëveshja e Brukselit e kërkon një mekanizëm që funksionon si institucion joqeveritar, e jo si autonomi për serbët.
“Marrëveshjet e kaluara që kanë të bëjnë me Brukselin si dhe plani i Ahtisaarit, nuk bëjnë thirrje për autonomi. Marrëveshjet e kërkojnë një mekanizëm që do të kërkojë koordinimin e komunave me shumicë serbe në formën e Asociacioni. Një institucion joqeveritar, e jo si autonomi territoriale në asnjë pjesë të vendeve, qoftë komunat në veri apo jug”.
“Kemi treguar zotim, gatishmëri dhe konstruktivitet gjithashtu në procesin e dialogut ku sapo jemi pajtuar me propozimin e BE-së dhe negociatat për zbatimin e tij do të pasojnë së shpejti”, shtoi ai.
Bislimi ka theksuar se siguria dhe paqja në rajon dhe në gjithë Evropën është një domosdoshmëri.
“Jemi në gjendje që të bëjmë progres përkundër të gjitha sfidave dhe pengesave. Zotimet tona mbesin të njëjta. Mesazhi i Kosovës është shumë i zëshëm dhe i qartë: Evropa është e tashmja, Evropa është e ardhmja. Zëri ynë duhet të dëgjohet”.
Besnik Bislimi ka thënë të martën Parlamentit Evropian në Bruksel se ekzistojnë tri kushte kryesore për formim të Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë.
“Asociacioni duhet të jetë në përputhje me ligjet e Kosovës, duhet të jetë në përputhje me qëndrimet e BE-së se nuk mund të ketë fuqi ekzekutive, siç është thënë në letrën që ish-Përfaqësuesja e Lartë, Federika Mogherini, ia kishte dërguar atëbotë kryeministrit të Kosovës. Së treti, që Asociacioni të mos paraqesë nivelin e tretë të pushtetit”.


