Kryeministri i vendit, Albin Kurti ka qëndruar të premtën në Turqi ku ka zhvilluar një darkë të punës me presidentin turk, Rexhep Taip Erdogan.
Siç ka thënë Kurti në konferencën për media pas kësaj darke, presidenti Erdogan ka ofruar përkrahje të pakushtëzuar për Kosovën në fushën e investimeve, tregtisë dhe sigurisë.
Ndërkaq, i pari i Turqisë Erdogan, pas darkës me Kurtin, u shpreh se shteti i tij do ta rrisë tregtinë me Kosovën në 1 miliard euro.
Po ashtu, Erdogan e riipërsëriti që Turqia do ta mbështes Kosovën në anëtarësimin e saj në Këshill të Evropës, BE, NATO si dhe deklaroi se është i gatshëm ta jap kontributin e tij në dialogun me Serbinë, në rast se kjo kërkohet nga palët.
Përveç kësaj, presidenti turk u shpreh i pakënaqur me numrin e shteteve që deri më tani e kanë njohur pavarësinë e Kosovës duke thënë 117, është numër shumë i vogël.
Lidhur me këtë, Erdogan theksoi se Turqia do t’i fillojë punimet intensive në mënyrë që, siç ka thënë ai numri i njohjeve të Kosovës, të arrijë nivelin e duhur.
Si Turqi kemi qenë një ndër shtetet e para që e kemi njohur Kosovën dhe kemi punuar vazhdimisht që numri i njohjeve të saj të rritet por fatkeqësisht 117 vende që e kanë njohur deri më tani nuk është në vlerën e duhur. Pikërisht për këtë do të hymë në punime intensive dhe do ta arrijmë numrin e duhur të njohjeve.”
Edhe pse kryeministri Kurti nuk përmendi diçka të tillë, përballë kësaj përkrahje të fuqishme të Turqisë, , Erdogan në tavolinën e darkës i kërkoi kryeministrit Kurti vetëm një gjë:
“Kosova të zhvilloj një qasje më ndryshe ndaj aktiviteteve të organizatave terroriste të FETO-s.”
“Në takimin me z.Kurti, përveç se diskutuam për marrëdhëniet tona politike, po ashtu u diskutuam edhe për ekonomi, tregti, energji, mbrojtje, infrastrukturë dhe luftim me terrorizmin. Diskutuam për rritjen e bashkëpunimit në mes të dyja vendeve kundër aktiviteteve të organizatës terroriste FETO në Kosovë dhe kërkova nga miku im një angazhim më ndryshe nga ajo që ka qenë deri më tani.”, ka thënë Erdogan në konferencën për media, shkruan KosovaNews.
Kujtojmë se gjatë vizitës së tij në Kosovë më 19 qershor të vitit të kaluar, Minstri i Jashtëm turk, Mevlut Cavushoglu, kishte deklaruar se Gylenistët janë pengesa më e madhe në raportet Turqi-Kosovë
“Ekzistenca e FETO-s në Kosovë është pengesa më e madhe mes raporteve tona, për shkak që është duke bërë punë për të helmuar raportet tona.”, kishte deklaruar në atë kohë Cavushoglu gjatë konferencës së përbashkët të tij me Ministren e Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla.
Turqia i referohet lëvizjes Hizmet të klerikut Fetullah Gulen me akronimin FETO dhe të njëjtën e ka shpallur organizatë terroriste.
Në mars të vitit 2018, Kosova arrestoi dhe dëboi gjashtë shtetas turq, që kishin punuar në shkollën private “Mehmet Akif” në Prishtinë.
Të gjithë të arrestuarit, ndërkohë, janë përballur me procese gjyqësore në Turqi dhe në fund janë dënuar gjithsej me 56 vjet dhe 7 muaj e gjysmë burgim.
Arrestimi dhe dëbimi i tyre janë lëndë e hetimeve edhe në Prokurorinë Speciale të Kosovës, pasi dyshohet se procesi është përcjellë me shkelje./KosovaNews/