Është mbajtur në Vlorë ceremonia e ngritjes së flamurit kombëtar me rastin e 110-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë.
Të pranishëm në ceremoni ishin krerët më të lartë të shtetit të Shqipërisë, presidenti Bajram Begaj, kryeministri Edi Rama dhe kryekuvendarja Lindita Nikolla.
Por në këtë ceremoni të ngritjes së flamurit kuq e zi kanë qenë edhe krerët e shtetit të Kosovës, si presidentja Vjosa Osmani, kryeministri Albin Kurti dhe kryekuvendari Glauk Konjufca.
Një pjesë e liderëve të Kosovës kanë shkuar në Shqipëri, disa ditë më parë, për të marrë pjesë në kremtimet e kësaj ngjarje historike për vendin, ku mëngjesin e së shtunës ishin të pranishëm dhe në mbledhjen e parë të dy Kuvendeve.
Në ceremoninë që u mbajt në Vlorë ishin të pranishëm dhe shumë personalitete të tjera nga politika dhe shoqëria civile, ndërkohë që aktivitetet u ndoqën nga qindra banorë.







