Prokuroria Themelore në Prishtinë ka autorizuar Policinë e Kosovës për ndërmarrjen e të gjitha veprimeve të nevojshme për kërcënimin e pretenduar si dhe fyerjet ndaj zëvendëskryeministrit të Kosovës, Besnik Bislimi, të enjten në Kuvendin e Kosovës nga deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Abelard Tahiri.
Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësja e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Laureta Ulaj.
“Referuar pyetjes suaj, iu njoftojmë se Prokurori i Shtetit gjatë ditës së djeshme i ka autorizuar policinë për ndërmarrjen e të gjitha veprimeve të nevojshme lidhur me këtë çështje”, ka thënë Ulaj.
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Abelard Tahiri foli dje në fillim të seancës së Kuvendit, me ç’rast për situatën e krijuar në veri pas dorëheqjeve nga Lista Serbe nuk ka fajësuar Serbinë, por Qeverinë e Kosovës, ndërsa pas mbarimit të fjalimit i ka sharë e kërcënuar ministrat e kabinetit qeveritar.
Kështu doli e tha në foltore zëvendëskryeministri i parë i Kosovës, Besnik Bislimi, raporton KosovaNews
Ai pohoi se deputeti i PDK-së, Abelard Tahiri, e shau dhe e kërcënoi pasi ndali mikrofonin në seancën e e Kuvendit të Kosovës.
“Deputeti Abelard Tahiri nga kjo foltore nxori një sërë akuzash për ministren Albulena Haxhiu. Ndërsa, pasi u ndal mikrofoni në stilin e një banditi që vendos shurdhues në armën e tij, u kthye nga unë dhe shprehur një serë kërcënimesh të cilat më pas i shoqëroi me të shara e fyerje”, deklaroi ai, duke i bërë thirrje Prokurorisë që të merret me këtë rast.
I menjëhershëm ishte reagimi i deputetit Tahiri, i cili këto akuza të Bislimit i quajti të pabaza dhe për të njëjtin tha se “është në gjendje të rëndë psikike”.
“Deputetë a jeni duke e pa? Këta e kanë një siklet të madh. Këta janë në një siklet që as vendi vend nuk po i zë. Ky flet akuza të pabaza, del në foltore dhe flet të pavërteta. Ky është në gjendje të rëndë edhe psikike. Ky është në gjendje të rëndë, andaj ne i kërkojmë kësaj qeverie fokus, punë dhe angazhim në kryerjen e detyrave të veta”, deklaroi Tahiri.
Në mbrojtje të Bislimit doli ministri i Financave, Hekuran Murati, i cili mori fjalën pas Tahirit dhe pohoi pretendimet e zëvendëskryeministrit se është ofenduar e kërcënuar nga deputeti i PDK-së.
“Isha edhe unë dëshmitar dhe mund ta konfirmoj atë që tha zëvendëskryeministri Bislimi se pas mbylljes së mikrofonit duke u kthyer nga foltorja në ulësen e tij kërcënoi dhe shau zëvendëskryeministrin. Ftoj Prokurorinë sepse kishte edhe kërcënim, jo vetëm gjuhë joparlamentare. Ftoj Prokurorinë ta marr shumë seriozisht kërcënimin e një personi që ka mbajt armë me shurdhues”, tha Murati./KosovaNews/


