Policia e Shtetit në Shqipëri ka njoftuar se ka arrestuar dy shtetas të huaj nën dyshimin për mashtrim me të dhëna personale e bankare.
Sipas njoftimit, të dyshuarit kishin krijuar një faqe interneti të ngjashme si të Postës Shqipatre, me qëllim përfitimin e të dhënave personale dhe bankare të përdoruesve.
Të arrestuarit janë C.F., 51 vjeç dhe H.Y., 45 vjeç.
“Hetimet kanë treguar se këta shtetas kishin hyrë në territorin e Republikës së Shqipërisë më datë 27 tetor 2025 dhe kishin krijuar një faqe interneti identike me atë të Postës Shqiptare, për të mashtruar qytetarët dhe për të mbledhur të dhëna personale e bankare” – thuhet në njoftim.
Gjatë kontrollit në ambientit ku të dyshuarit qëndronin, Policia ka sekuestruar 17 telefona, 1 laptop, 12 pasaporta, 11 karta bankare, 7 karta identiteti, 1 patentë dhe shuma parash në valuta të ndryshme.
“Vijon puna hetimore për zbardhjen e plotë të ngjarjes, me qëllim dokumentimin e plotë të aktivitetit kriminal dhe identifikimin e mundshëm të autorëve të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari.Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprat penale “Mashtrimi kompjuterik”, “Ndërhyrja në të dhëna kompjuterike” dhe “Falsifikimi kompjuterik” – thuhet në njoftim.


