Policia e Kosovës në Kaçanik në orët e hershme të mëngjesit të së enjtes ka ndaluar një veturë me targa vendore dhe pas një kontrolle ka vërejtur se ai po mbanë para të falsifikuara dhe armë të pa autorizuar.
Kanun Veseli, zëdhënës i policisë për rajonin e Ferizajt, nëpërmjet një komunikate ka sqaruar se pas intervistimit në stacionin policor në Kaçanik dhe në konsultim me prokurorin kujdestar, është iniciuar rasti “Falsifikim i parasë”.
“Më 24.04.2025, rreth orës 03:50, në rrugën “Idriz Seferi” në Kaçanik është ndaluar një veturë e tipit Seat me targa vendore, e drejtuar nga i dyshuari B. R., 23 vjeç. Gjatë kontrollit të kryer nga njësitë policore, tek i dyshuari janë gjetur dhe sekuestruar 27 kartëmonedha prej 100 dollarësh, të gjitha me numër serik të njëjtë, të dyshuara si të falsifikuara. Në vijim të veprimeve hetimore, është realizuar një bastisje në shtëpinë e të dyshuarit në Han të Elezit, ku janë gjetur dhe sekuestruar municion i ndryshëm, mjete të mprehta, një boks hekuri, një shkop bejzbolli si dhe një shkrepëse në formë arme. Për këtë është iniciuar rasti i dytë “Mbajtje në pronësi, posedim apo kontroll të paautorizuar të armëve””, thuhet në komunikatë./