Nëntë pjesëtarë të Policisë së Kosovës janë tërhequr nga Jarinja për shkak të problemeve shëndetësore që kanë.Baki Kelani, zëdhënës i Policisë së Kosovës, ka konfirmuar se transportin e policëve e ka kryer KFOR-i.“Bashkëpunim dhe kontakte të vazhdueshme PK-ja mban edhe me KFOR-in, i cili sot për shkaqe shëndetësore ka përkrahur transportimin e 9 zyrtarëve policorë nga veriu në jug”- ka thënë Kelani. Burime të KALLXO.com kanë bërë të ditur se policët të cilët janë larguar kanë probleme akute shëndetësore, si sëmundje të zemrës.
Sot është dita e 11-të që nga vendosja e barrikadave në rrugët në veri të Kosovës.Situata në veri të Kosovës është e tensionuar që nga 10 dhjetori.Atë ditë, grupe qytetarësh serbë janë mbledhur në qytetet në veri të vendit për të protestuar kundër arrestimit të Dejan Pantiqit, ish-polic i Kosovës, i akuzuar nga autoritetet e Kosovës për organizim të sulmeve kundër zyrtarëve të KQZ-së dhe të Policisë së Kosovës.Grupet e serbëve, pjesë e të cilëve janë edhe persona me maska e madje edhe me armë, kanë bllokuar rrugët kryesore drejt pikave kufitare Jarinjë dhe Bërnjak.