Këngëtari Shemsi Krasniqi, i njohur si Shemi i Ilirëve është prangosur dje nga Policia e Kosovës, pasi ishte nisur për të kënduar në festivalin Sunny Hill.
Ai është shoqëruar dje për në stacion policor, pasi i njëjti, sipas Policisë, pa autorizim ka hipur në skenë ku performojnë artistët e ftuar nga festivali.
“Gjatë zhvillimit të Festivalit Sunny Hill, i cili po mbahet në parkun e Gërmisë, më 06.08.2022 rreth orës 16:50, te bina ku përformojnë artistët, është ndaluar: Sh.K., (viti i lindjes 1955, mashkull kosovar), i cili pa autorizim kishte hipur në binë”, thuhet në njoftim.
Tutje sqarohet se zyrtarë policorë që janë të angazhuar në ofrim të sigurisë gjatë zhvillimit të festivalit, kanë kërkuar që personi në fjalë të largohej nga aty.
“Ai nuk ka respektuar urdhrin e personit zyrtar dhe me këtë rast është shoqëruar në stacionin policor. Policia për rastin ka njoftuar prokurorin kujdestar dhe me udhëzim nga i njëjti, i shqiptohet fletë-paraqitje për mosrespektim të urdhrave të personit zyrtar”, kanë thënë në njoftim sot Policia e Koosvës.
Edhe në këtë rast, Policia e Kosovës thekson se mbetet e përkushtuar në respektimin e ligjit dhe ruajtjes së rendit dhe qetësisë publike./KosovaNews/