Dy persona janë ndaluar për 48 orë nga Policia e Kosovës, nën dyshimin për kryerjen e veprës penale të mashtrimit. Ata dyshohet se kanë kërkuar një shumë prej 100,000 eurosh nga një qytetar, duke pretenduar se do të përdorej për shërimin e një anëtari të familjes së tij në një spital në Stamboll, ndërkohë që shpenzimet për trajtim ishin mbuluar tashmë nga Qeveria e Kosovës.
Policia e Kosovës, ka bastisur zyrat e një subjekti ekonomik në Prishtinë, bazuar në urdhëresën e Gjykatës Themelore, ku dy të dyshuar me iniciale; (I.P.) dhe (A.B.), janë ndaluar për 48 orë, ndërsa një i dyshuar tjetër është në kërkim.
Policia njofton se dyshimet lidhen me mashtrimin e një qytetari që i është kërkuar një shumë mbi 100,000 (njëqindmijë) euro për shërimin e një anëtari të familjes së tij në një spital në Stamboll, ndonëse siç thuhet në komunikatën e policisë shpenzimet ishin mbuluar nga Qeveria e Republikës së Kosovës.
Sipas njoftimit gjatë bastisjes, janë siguruar dokumente dhe pajisje si prova tjera.
Hetimet janë duke vazhduar nga autoritetet për zbardhjen e plotë të rastit dhe për të siguruar drejtësi për të gjitha viktimat e mundshme.