Policia e Kosovës, Sektori për Hetimin e Krimeve Ekonomike, në koordinim me njësitë e rendit, ka realizuar një operacion të suksesshëm që ka çuar në zbulimin e një laboratori për prodhimin e dokumenteve të falsifikuara, ku është arrestuar një person i dyshuar.
Nëpërmjet një komunikate për media, Policia e Kosovës ka njoftuar se operacioni është zhvilluar pas hetimeve të kryera më herët dhe ka rezultuar me sekuestrimin e një sasie të madhe dokumentesh të zbrazëta nga shtete të ndryshme, si dhe pajisjeve që shërbejnë për prodhimin e dokumenteve të falsifikuara.
Sipas komunikatës, në muajin janar të këtij viti, një automjet me targa vendore, i drejtuar nga i dyshuari me inicialet F.K., ishte ndaluar nga njësitë e rendit në Prishtinë. Gjatë kontrollit, u zbuluan dokumente të zbrazëta, pas të cilave u zhvilluan hetime të mëtejshme. Më pas, në të njëjtën ditë, u zbulua një laborator i pajisur me makineri lazerike, printerë dhe pajisje të tjera që përdoren për prodhimin e dokumenteve të falsifikuara, si dhe dokumente blanko me kopertina të shteteve të ndryshme të Evropës dhe botës, në një shtëpi në lagjen Veternik të Prishtinës.
Policia e Kosovës ka vazhduar hetimet intensive në koordinim me partnerët ndërkombëtarë, përfshirë Europol-in. Gjatë këtyre veprimeve, më 23 prill 2025, është siguruar dhe intervistuar një tjetër i dyshuar, me inicialet SH.E., si pjesë e grupit. Ky i dyshuar është intervistuar në prani të avokatit mbrojtës dhe, me vendim të Prokurorit të Prokurorisë Speciale (PSRK), është dërguar në mbajtje për 48 orë.
Policia e Kosovës ka theksuar se mbetet e përkushtuar në luftën kundër veprave të kundërligjshme, krimit të organizuar dhe falsifikimit të dokumenteve, dhe do të vazhdojë bashkëpunimin me partnerët vendorë dhe ndërkombëtarë për të siguruar zbatimin e ligjit.