Deri në 600 euro ka shkuar një gjobë nga aksioni që Policia e Kosovës në Prizren ka zhvilluar në bashkëpunim me inspektorët e Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës për kontrollin e automjeteve të transportit.
“Ky aktivitet përfshiu asistimin e inspektorëve të MMPHI gjatë matjes me peshore të automjeteve, patrullimin në zonën e përgjegjësisë si dhe kontrollin e automjeteve të transportit të mallrave dhe personave, përfshirë verifikimin e dokumentacionit përkatës”, thuhet në njoftim.
Bëhet e ditur se janë shqiptuar 36 gjoba dhe fletëparaqitje për kundërvajtje deri në 600 euro.
“Si rezultat i kontrolleve të kryera gjatë asistimit të MMPHI dhe aktiviteteve tjera, patrullat e trafikut rajonal me datën 02 mars 2026: Shqiptuan gjithsej 36 gjoba dhe fletëparaqitje për kundërvajtje. Gjobat ishin nga shumat më të vogla deri në 600 euro, sipas natyrës së shkeljes. Masat u aplikuan si ndaj drejtuesve të mjeteve, ashtu edhe ndaj personave juridikë – subjekteve afariste”, thuhet në njoftim.
Policia e Kosovës, thotë se mbetet e përkushtuar në zbatimin e ligjit, rritjen e sigurisë në komunikacion dhe mbrojtjen e mjedisit, duke vazhduar bashkëpunimin me institucionet përgjegjëse për të garantuar rend dhe siguri për të gjithë qytetarët.


