Protestuesit janë mbledhur para Ambasadës së Serbisë në Tiranë, duke protestuar pas bllokimit të rrugëve në veri të Kosovës.
Është protesta e tretë para Ambasadës së Serbisë dhe e dyta brenda javës.
Edhe të enjten, protestuesit thanë se do vijojnë të dalin në protestë paqësore në mbështetje të vëllezërve kosovarë, ndërkohë kanë kërkuar më shumë prani në këtë tubim në shenjë solidarizimi me situatën e tensionuar veri të Kosovës.
“Dënoj aktet luftënxitëse të Serbisë ndaj Kosovës. Ne si shqiptarë solidarizohemi sot për veriun e Kosovës. Serbia po nxit luftë me akte, një akt që destabilizon kombin. Kosova ka heronj të rënë në luftë që kanë lënë shtëpitë e familjarët për atdhedashurinë që kishin e sot ne si shqiptarë do ngrihemi në protestë nëse nuk njohim stabilitet”, tha një protestues.
“Heqja e barrikadave dhe gjuha luftënxitëse e Serbisë që ndodh, është arsyeja pse kemi dalë. Ne do vijojmë t’i mbështesim vëllezërit tanë kosovarë deri sa barrikadat të hiqen. Ata presin më shumë nga shqiptarët e Shqipërisë dhe politika shqiptare. Këtë protestë paqësore duhet ta mbështesin masivisht. Minimumi të dalin në shesh e t’i kërkojnë qeverisë së Serbisë e qeverisë shqiptare të ndalojë këtë gjuhën e urrejtjes”, tha një tjetër protestues.
Edhe të martën u zhvillua një protestë para ambasadës së Serbisë në Tiranë, në mbështetje të Kosovës. Me thirrjet “Hiqni duart nga Kosova, Mitrovica është e jona”, aktivistë të shoqërisë civilë protestuan para ambasadës dhe kërkuan që qeveria shqiptare të kushtëzojë marrëdhëniet me Serbinë.
Në deklaratën e tyre, ato kërkuan nga presidenti Bajram Begaj që të thërrasë Këshillin e Sigurisë. Edhe opozita në Shqipëri ka reaguar pas protestës para ambasadës së Serbisë në Tiranë dhe tensioneve në veri të Kosovës ku nënvizon se po kërcënohet paqja.