Pas shkëlqimit në Kupën e Botës për Klube, Gonzalo Garcia ka zgjuar interesimin e disa klubeve evropiane nga Liga Premier, Serie A dhe La Liga. Sulmuesi i ri i Real Madridit po konsiderohet si një nga talentet më premtuese të brezit të tij.
Gonzalo, vetëm 21 vjeç, është rritur në akademinë e Real Madridit dhe këtë sezon ka lënë gjurmë me paraqitjet e tij, si në Spanjë, ashtu edhe në arenën ndërkombëtare. Ai po vlerësohet si një lojtar me potencial të madh për të ardhmen.
Në 1RFEF me Castilla-n, ai ka shënuar 25 gola dhe ka dhënë 4 asistime në 36 ndeshje, duke treguar instinkt të lartë gjuajtjeje dhe aftësi për të ndihmuar shokët e skuadrës. Në Copa del Rey ka shënuar një gol në një ndeshje, ndërsa në Kupën e Botës për Klube ka kontribuar me 2 gola dhe 1 asistim në tre paraqitje.
Sunderland, klubi i sapongjitur në Ligën Premier, ka bërë një ofertë serioze: huazim me detyrim blerjeje në rast që qëndrojnë në elitë, me një marrëveshje që mund të arrijë 15 milionë euro plus 5 milionë në bonuse.

Roma nga Serie A është një tjetër klub i interesuar, duke propozuar një huazim pa opsion blerjeje. Një ofertë më e kujdesshme, por që konfirmon besimin në cilësitë e lojtarit. Edhe Real Oviedo ka bërë një qasje të ngjashme.
Ndërkohë, Leeds United është gati të ofrojë 20 milionë euro për të siguruar shërbimet e Gonzalo Garcías. Real Madrid, nga ana tjetër, po këmbëngul për përfshirjen e një klauzole rikthimi prej 30 milionë eurosh, për të ruajtur kontrollin mbi të ardhmen e tij.
Gjithsesi te Reali nuk po nguten dhe trajneri Xabi Alonso do të marrë vendimin përfundimtar për sulmuesin vetëm pas Kampionatit Botëror të Klubeve.