Policia e Kosovës është duke i vazhduar aktivitetet gjithandej vendit për implementimin e planit operativ “Alkooli”.
Ky aktivitet është zhvilluar për disa ditë edhe në rajonin e Gjakovës, me ç’rast edhe janë shqiptuar masa ndëshkuese ndaj pjesëmarrësve në komunikacion të cilët kanë shkaktuar kundërvajtje.
Njësia Rajonale e Komunikacionit Rrugor në Gjakovë nga data 26.07.2022 e deri me datën 01.08.2022, pra për 6 ditë radhazi, në kuadër të implementimin e Planit Operativ “Alkooli” ka bërë matje me alkool test ndaj 410 drejtuesve të mjeteve motorike.;
“Janë bërë matje me alkool test ndaj 410 drejtuesve të mjeteve motorike dhe për rrjedhojë janë konfiskuar, si masë mbrojtëse, 53 patentë shoferi ndaj drejtuesve të cilët kanë përdorur alkool”, thuhet nga policia.
Po ashtu, bëhet e ditur se janë marrë masa tjera preventive dhe ndëshkuese edhe ndaj kundërvajtësve të cilët kanë shkaktuar kundërvajtje tjera, ku për një javë janë shqiptuar 1374 gjoba të trafikut dhe rreth 100 patentë shofer janë konfiskuar.
Njësia Rajonale e Komunikacionit Rrugor në Gjakovë thekson se do të vazhdojë me aktivitete preventive dhe ndëshkuese në vazhdimësi ndaj shkelësve të ligjit në trafikun rrugor.
Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjakovë ju bënë apel gjithë pjesëmarrësve në trafikun rrugor që t’i zbatojnë dispozitat ligjore dhe rregullat e trafikut dhe të kontribuojnë për një siguri më të lartë në trafikun rrugor dhe mos të bëhen shkaktar të viktimave në aksidentet rrugore./KosovaNews/




