Kuvendi i Kosovës ka filluar seancën e parë në vitin 2023, ku do të ketë vazhdim të disa pikave të mbetura nga viti i kaluar, ndërsa me deklarimet jashtë rendit të ditës ka pasur një përpalsje mes deputetëve të PDK-së dhe Lëvizjes Vetëvendosje.
Partia Demokratike e Kosovës ka kërkuar shkarkimin e ministres së Industrisë, Rozeta Hajdari, pas dënimit për mosdeklarim të pasurisë.
Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, në seancën e parë të vitit 2023 ka thënë se PDK-ja s’do ta votojë Projektligjin për sigurinë e përgjithshme të produkteve përderisa ai prezantohet nga ministrja e dënuar.
“Sa i përket efikasiteti të këtij kuvendi sot po e fillojmë sesionin e ri pranveror me seancën e shtatorit që ka qenë seanca parë e sesionit vjeshtor. Sa i përket shqyrtimit të këtij projektligji, ai është mjaft i rëndësishëm, por që u prezantua nga një ministre që është e dënuar për fshehje të pasurisë. Kjo e bën të cenueshëm këtë ligj. Për ne është e papranueshme të vazhdojë të rrijë në sallë një person i cili e fsheh pasurinë. Asnjëherë në Kuvend nuk ka pasur ministër që ka qenë në detyrë dhe që ka qenë i dënuar për mosdeklarim të pasurisë. Këtë standard po e vendos Qeveria Kurti. Ju kërkoj të bëni presion te kryeministri që kjo ministre të shkarkohet”, ka thënë Tahiri.
Mirëpo, deputeti nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Adnan Rrustemi tha se as toni i lartë dhe as cilësimet si skandaloze e vepër penale nuk i japin të drejtë kundërshtuesit kur nuk ka bazë.
“Në rastin konkret për mosdeklarimin e pasurisë për dy ditë për ministren Rozeta Hajdari çështja është krejtësisht e pastër dhe ligjore dhe po ju kujtoj deputetëve që në korrik të vitit të kaluar ne kemi bërë plotësim ndryshimin e ligjit për deklarimin e pasurisë dhe me ligjin e ri vonesat deri në 15 ditë nuk janë vepër penale”, tha ai.
Rrustemi tha se ministrja Hajdari meqenëse e ka pranuar se dy ditë është vonuar në deklarim të pasurisë në një rrethanë krejt objektive, po të paraqiste ankesë në shkallën e dytë do të dilte e pafajshme.
“Mos të përpiqet PDK që një çështje krejtësisht teknike dhe madje edhe ligjërisht të ndryshuar në Kuvend ta bëjë çështje politike sepse nuk qëndron Kështu që të kthehemi te rendi i ditës dhe mos të ekzagjerohet diçka që nuk ekziston”, është shprehur Rrustemi.


