Në edicionin ku u “testua” inteligjenca artificiale bashkë me hamendësimet për të, Festivali ndërkombëtar i filmave dokumentarë dhe të shkurtër, “DokuFest” bëri bujë. Jo veç për temën që u filtrua nëpërmjet filmave e diskutimeve, por edhe me anë të programeve të tjera që në thelb kanë thirrjet për të drejtat e njeriut. Në edicionin e tij të 22-të, Festivali u bë shkas që të nxitet edhe një protestë. Përtej kësaj tregoi për efektin që jep përballë provokimeve që bën. Në këtë rast, testoi edhe derivatet e keqinformimit. E në fund, prapë bëri thirrje për të drejtat e njeriut duke i dhënë Çmimin kryesor filmit dokumentar “Drifting” të regjisores Somnur Vardar
Vend i pasionit e i dashurisë kanë qenë fjalët me të cilat është vlerësuar Festivali ndërkombëtar i filmave dokumentarë dhe të shkurtër “DokuFest”, që në qendër mbi të gjitha, ka të drejtat e njeriut. Pikërisht një projekt i tillë kinematografik edhe ka fituar çmimin kryesor të Festivalit. Dokumentari për drejtat e punëtorëve të ndërtimit, jetën e tyre dhe kushtet e punës ka triumfuar në edicionin e 22-të të “DokuFestit”. “Drifting” i regjisores turke, Somnur Vardar, ndërtohet prej pamjeve të një pjese të qytetit të Stambollit, ku rrënohet e ndërtohet çdo ditë. Të paktën në kohën kur dokumentari ishte xhiruar.
Fituesi i sivjetmë në kategorinë kryesore “Balkan Dox”, fokusohet në punën e një grupi punëtorësh turq e kurdë. Regjisorja kap momentet kur Sindikata e Punëtorëve të Ndërtimit në Turqi organizon një protestë, ku ata kërkojnë të drejtat e tyre. Punëtorët nuk po merrnin pagat me muaj të tërë dhe nuk po u ofroheshin kushte të tjera. Disa prej tyre synojnë të zhvendosen në Algjeri për kushte më të mira dhe të vazhdojnë studimet. Ata punojnë ndërtim sikurse baballarët e gjyshërit e tyre me dekada.
Në “Drifting” shfaqet edhe mënyra e jetesës në hapësira kolektive, mbledhjet me shoqëri tek kalojnë mbrëmjet, duke gjetur ngushëllim në dëshpërimin e njëri-tjetrit. Jepen protestat e punëtorëve që shpërndahen me forcë pasi sulmohen me armë. Në lajme jepen të dhënat për 105 punëtorë të arrestuar në të gjithë Stambollin atë ditë.
Shkëputja nga vendpunishtja, për të vazhduar në Algjeri veçse fillon. Ëndrra e të gjithë atyre ishte të studionin dhe të vazhdonin me punë në profesionet që do t’i përkitnin.
“Faleminderit shumë. Ka qenë javë e mrekullueshme këtu, ishte ngjarje e mrekullueshme. Ky film i dedikohet transformimit të jetës së punëtorëve të ndërtimit”, ka thënë regjisorja Somnur Vardar, pasi ka pranuar Çmimin.
Atë e ka ndarë kryetari i Prizrenit, Shaqir Totaj, i cili është shprehur falënderues për organizatorët e vullnetarët e Festivalit, duke thënë se e kanë bërë Prizrenin e Kosovën qendër të kinematografisë. “Me të vërtetë kënaqësi dhe privilegj të jemi këtu. Nëse duhet shembull konkret se çfarë duket një storie suksesi, është ‘DokuFesti’. Jam shumë i sigurt se do të vazhdojë të na bëjë edhe më krenarë, e të jetë edhe më i suksesshëm”, ka thënë Totaj të shtunën mbrëma kur edhe janë ndarë çmimet në ceremoninë përmbyllëse të festivalit.
Juria në këtë kategori ka qenë në përbërje prej producentes, skenaristes e regjisores Marlene Edoyan që jeton në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, regjisorit kroat Srdjan Kovaçeviq, filmi i të cilit “Factory to the Workers” kishte fituar çmimin kryesor vitin e kaluar si dhe nga regjisorja e skenaristja turke, Zeynep Güzel.
Çmimin për Filmin më të mirë në “International Feature Dox” e ka fituar filmi “Hypermoon” i regjisores libano-amerikane, Jude Chehab. Filmi gjurmon një udhëtim që kapet për jetën dhe vdekjen nëpërmjet rezistencës dhe dashurisë.
“Është aq nder ta pranojmë këtë çmim. Dhjetë vjet më parë, vizitova ‘DokuFestin’ dhe gjithashtu pranova këtë Çmim. Është festivali që do të më mbesë gjatë në mendje, e mbaj thellë në zemër këtë kujtim dhe me shumë dëshirë e pranoj Çmimin dhjetë vjet pas filmit të parë të vlerësuar në këtë Festival”, ka thënë regjisorja Chehab.
Kolegia e saj, Melissa Lindgren e ka pranuar çmimin nga drejtori artistik i “DokuFest”, Veton Nurkollari. Ky i fundit e ka vlerësuar mision të përfunduar me sukses edicionin e 22-të të Festivalit.
“Është kënaqësi të jemi këtu pas nëntë ditëve intensive me shumë aktivitete e filma dhe një edicion, për mendimin tim, të jashtëzakonshëm”, është shprehur Nurkollari.
Çmimi për Filmin më të Mirë në kategorinë “International Short Dox” është ndarë për filmin “Pacific Club” të regjisorit francez Valentin Noujaïm. Filmi nëpërmjet dëshmive, vizualizimeve digjitale dhe performancës synon të ruajë kujtesën e hapësirës që dikur ishte vendimtare për një komunitet të përjashtuar dhe për gjurmët e zhdukura mes kapitalizmit.
Regjisori nuk ka qenë prezent në ceremoni, por të pranishmëve u është drejtuar me një videomesazh.
“Ndihem çuditshëm. Është nder i madh për mua. Mezi pres ta ndaj lajmin me pjesën tjetër të ekipit”, ka thënë shkurt Noujaim.
Në kategorinë “Best International Short Film” fitues është zgjedhur filmi “Neighbour Abdi” i regjisorit Douwe Dijkstra që ka në qendër të rrëfimit një projektues mobiliesh dhe punëtorin e krahut, Abdi. Aty shfaqet jeta e tij e shënuar nga lufta dhe kriminaliteti, me ndihmën e fqinjit të tij dhe regjisorit Douëe.
Prej edicionit të kaluar ,‘DokuFest” e ka të drejtën e nominimit të një filmi të shkurtër si kandidat për “Best European Short” të Akademisë Evropiane të Filmit. Për sivjet, është zgjedhur filmi “Daydreaming So Vividly About our Spanish Holidays” i spanjollit Christian Avilés.
Producentja e Festivalit, Alba Çakalli, me këtë rast ka siguruar publikun për një edicion të ardhshëm edhe më madhështor. “Si producente e Festivalit dua t’ju siguroj se edicionin tjetër, do ta kemi edhe më të guximshëm edhe më të bukur”, ka thënë ajo.
Çmimi i Publikut është ndarë për filmin “Snajka: The Diary of Expectations” të regjisores Tea Vidoviq Dalipi, që flet për nuset e guximshme. “Ky film është për gjithë nuset që thonë ‘jo’, sepse kjo është mënyra se si ndryshojmë jetën dhe patriarkatin”, ka thënë regjisorja.
Filmi më i mirë në kategorinë e filmave vendorë “National” është zgjedhur “Prishtinë, 2002” i Trëndelinë Halilit që pikërisht në këtë Festival ishte dhënë premierë kombëtare.
“Kush e kishte menduar se do dilja këtu pas shumë vitesh që e kam përcjellë Festivalin nga audienca. Falënderoj gjithë ekipin që e kanë punuar palodhshëm filmin për të sjellë një memorie kolektive dhe individuale”, ka thënë Halili para të pranishmëve.
Në rreth 20 minuta, filmi shpalos miqësinë e dy adoleshenteve, ku tendencat e tyre për ta ndryshuar vetveten i çojnë në përballje me të papriturat. Ngjarja vendoset në Prishtinë në vitin 2002, siç vjen nga emërtimi i filmit.
Filmat vendorë, nga Festivali janë vlerësuar si “investim i viteve të kaluara në zhvillimin e kinematografisë së Kosovës që nuk janë zhgënjyes. “Përzgjedhja e filmave që garojnë në këtë kategori ishte më e vështirë nga vitet e kaluara, pasi që kualiteti i produksioneve vendore ka një avancim te theksuar”, kanë vlerësuar organizatorët.
Çmimi për filmin më të mirë në kategorinë “Human Rights Dox” i është ndarë “A Golden Life” i regjisorit Boubacar Sangare.
“Dua të them faleminderit për shfaqjen e filmit tim këtë vit. Jam shumë i lumtur. Faleminderit jurisë për këtë Çmim, është shumë i rëndësishëm për mua. Faleminderit ekipit të ‘DokuFest’ të cilit i uroj jetë të gjatë. Faleminderit që na jepni mundësinë të sjellim historinë tonë aty”, ka thënë ai.
Fitues në kategorinë “Green Dox” është zgjedhur filmi “Last Things” i regjisores Deborah Statman.
“Jam shumë e kënaqur me Çmimin dhe që ‘Last Things’ ende mund të komunikojë me mesazhet revolucione dhe të barazisë sikurse edhe mund të përcjellë urgjencën nëpërmjet ngjarjes që shpalos”, ka thënë ajo nëpërmjet një videomesazhi.
“Total Trust” i regjisores kineze Jialing Zhang, ka fituar Çmimin e filmit më të mirë në kategorinë “Truth Dox”. Aty zbërthehet jeta e njeriut në shtetin me regjim komunist në kohën kur teknologjia është çdoherë në zhvillim. Digjitalizimi do të ishte kryefjala nëse do të duhej të përmblidhej shkurt.
Regjisorja Zhang ka thënë se Çmimi tregon për fuqinë e dokumentarit për të shpërfaqur historinë e mbikëqyrjes së popullit të tyre nëpërmjet teknologjisë.
“Përkundër teknologjisë se lartë në mbikëqyrjen e sjelljeve tona, nuk mund të ndahet fjala jonë dhe mbrojtja nuk është gjithçka rreth teknologjisë, është rreth integrimit të njerëzve që qëndrojnë kundër kësaj. Kjo gjë nuk ndodh vetëm te ne, shpresoj që edhe vendet e tjera të ngrenë zërin rreth asaj çfarë po ndodh me teknologjinë dhe shkeljen e të drejtave të njeriut nëpërmjet teknologjisë”, ka thënë ajo.

Është tradicionale përkrahja e filmbërësve të rinj nga “DokuFest”. Fitues të sivjetmë të “New Wave of Kosovo Filmmmakers”, janë zgjedhur projektet “17:00” të Flaka Kokollit dhe “Ill-endowed” i Aurela Berilas. Sivjet Çmimi i Distribuimit është ndarë filmi “Hana e Re” të Jehona Berishës. Në bashkëpunim me Qendrën Kinematografike të Kosovës, “DokuFest” ka themeluar çmimin vjetor “Talent Dox Award”, që është ndarë për filmin “The Future is Better Comrade” nën regji të Blerta Hazirajt.
Ceremonia hapëse e ajo e mbylljes së edicionit të 22-të të Festivalit ndërkombëtar të filmit dokumentar dhe të shkurtër “DokuFest”, mund të merren praktikisht si shembuj në zbërthimin e temën së sivjetme. “I AM” (UNË JAM) vinte si pohim për ekzistencën dhe dobinë e fenomenit teknologjik. Fraza tjetër “AM I” e vinte në dyshim dhe pyeste nëse vërtetë kjo pajisje digjitale mund të zëvendësonte njeriun. Publiku po aq i madh dhe entuziastë në numër në Bahçen e kinemasë “Lumbardhi” erdhi për t’u përshëndetur me Festivalin për sivjet.
Në konfirmimin se inteligjenca njerëzore është mbi atë artificiale, se e kontrollon atë dhe se “përmban rrëfime njerëzish”, siç vinte prej asaj që ka qenë si nëntemë e sivjetme, në skenë u shfaq një njeri. Prej robotit, Festivali ktheu vëmendjen kah qenia njerëzore. Kah audienca e vërtetë që ndien, e shijon çdo moment të ngjarjeve. Që thellohet në rrëfimet e dokumentarëve, kupton thelbin e filmbërjes nëpërmjet bisedave e diskutimeve. Iu drejtua atyre që për nëntë ditë patën aftësinë të përvetësojë njohuritë nëpërmjet masterklasave e ligjëratave, e që shijuan muzikën me mbrëmjet që shënonin përfundimin e çdo dite të Festivalit.
Qe kryengjarje e vërtetë që Prizrenit i dha tjetër dimension e kuptim, atë të kryeqytetit të kinematografisë në rajon dhe jo vetëm. Shfaqjet e filmave që çdo edicion janë kryefjalë e ngjarjes me nam shpërfaqën fuqinë e kinematografisë, veçanërisht filmave dokumentarëve.
Projektori i parë i Festivalit u ndez më 4 gusht në shënim të maratonës filmike me ikonën “2001: A Space Odyssey” të regjisorit legjendar Stanley Kubrick që shpaloste udhëtimin nëpër hapësirë e kohë të vitit 1968. Prej aty, festivali dokumentoi rrëfime, histori e fenomene botërore nëpërmjet ekranit në Prizren. I grumbulloi dhe i shfaqi në tetë kinema gjithsej.
Ishin rrëfime për ikjen nga regjimi drejt lirisë, kufizimi e mbikëqyrja digjitale, shpalosje e paragjykimeve e triumfit ndaj tyre, besëtytni e jo vetëm. Madje rikthim i krijimeve të veçanta siç ngjau me dokumentarin “117” të Besim Sahatçiut. Me të, “DokuFest” shpalosi edhe një herë tjetër se sa kreativ është çdo aktivitet i tyre. Kjo mund të vërehet madje edhe në entuziazmin e vullnetarëve, shumë prej tyre tashmë prej vitesh në shërbim të asaj që hedh magji në Prizren të paktën për një javë në muajin gusht.
Qysh ende pa nisur Festivali ndërkombëtar i filmave dokumentarë dhe të shkurtër “DokuFest”, veçse dihej dinamika dhe ngjyrat e botës filmike që i sjell qytetit të Prizrenit çdoherë. Ajo duket se vjen çdo vit më e ndritshme e Festivali shtrin më shumë ndikimin. Edhe publikun e zgjeron çdoherë. Për nëntë ditë, çdo pjesë e qytetit jehoi me shenjat, emrin, aktivitetet e tij. Kinematë i bëri më aktive se që ishin. E meqë ato nuk janë në numër aq sa për të akomoduar gjithë programin e Festivalit, disa prej hapësirave u improvizuan në kinema dhe e bënë hapësira edhe më atraktive.
Festivali ndërkombëtar i filmit dokumentar dhe të shkurtër, “DokuFest”, sivjet ka trazuar me pyetje e pohim për inteligjencën artificiale nëpërmjet “I AM AI AM I”.
Madje edhe tema e sivjetme ishte gjeneruar pjesërisht me ndihmën e inteligjencës artificiale dhe Chat GPT. Festivali sivjet kishte ardhur si shqyrtim i çështjeve urgjente që preokupojnë botën. Me atë që në shqip përkthehet si “UNË JAM IA A JAM” , filmi hapës dhe mbyllës kanë qenë si homazh për zhanrin fantastiko-shkencor, si dhe për interpretimin e inteligjencës artificiale në vetë historinë e kinemasë.
Në zbërthim të temës qendrore janë shfaqur gjithsej 104 filma në garë, përfshirë këtu një numër sish, kanë pasur premierat e tyre ku regjisorët e producentët e tyre kanë qenë për t’iu përgjigjur pyetjeve e dilemave të publikut vendor e ndërkombëtar. Bashkë me filmat prej programeve të veçanta kanë qenë në total 240 filma që publiku ka mundur të eksplorojë nëpër ta.
Filmat garues i ka vlerësuar juria e veçantë në secilën kategori. Ata janë kritikë filmi, filmbërës, kinematografë, producentë e profesorë të fushës nga bota, rajoni e vendi.
Nga “DokuFest” ishte bërë e ditur se në përgjithësi kishin aplikuar filmbërës nga 111 shtete të botës me afërsisht 3 mijë e 500 filma. Kjo shifër përbënte rritje prej 22 për qind në krahasim me aplikimet e vitit të kaluar.
Kinemaja “Lumbardhi” bashkë me Bahçen e tij, “DokuKino” dhe plateja e tij, “KinoKlubi e “CineMarine” edhe sivjet kanë qenë mikpritësit tradicionalë të filmave dokumentarë dhe të shkurtër të “DokuFestit”. “Sonar Cinema”, “Lunar Cinema” e “Kino Lumi” edhe ishin formësuar si kinema. “Andrra Stage” është tjetër hapësirë e improvizuar, ku çdo natë u shpalos programi muzikor i “DokuNights”.
Në qendrën kulturore “Shani Efendi” u zhvillua programi i diskutimeve “DokuTalks”, sikurse edhe u shfaq ekspozita digjitale “How do I see you – Kosovo?”. Nuk mungoi programi tradicional i filmave për fëmijë “DokuKids”, sikurse edhe punëtoritë e programi për teknologji “DokuTech” në kuadër të Festivalit, shkruan KOHA.
Vjet Festivali kishte në qendër vetëdijesimin e mbrojtjen e natyrës, ku alarmonte për fenomenet e shenjat e dëmtimit të saj prej njeriut. “How to survive?” ka qenë një lloj pyetje-temë për mbijetesën ndaj kushteve klimatike, luftës, dhunës, fashizmit e për ekzistencën. Ka qenë edhe pyetje për mbijetesën e Festivalit përballë përkrahjes nga institucionet. E sivjet pos tjerash “DokuFest” provokoi fort edhe me “DokuNights”. Përformanca e natës së parë e mbajtur pas mesnatës në “Marash” nga “Peaches” qe ngjarje më vete. Interpretimim i saj që në qendër ka kauzën e të drejtave të njeriut, zgjoi edhe reagime. Dezinformtata gjoja se me të u hap festivali ishin njëra anë. Krejt kjo shpërtheu me një protestë të mbajtur të premten, ku thirrje për pjesëmarrje kishte edhe nga prijësit e Këshillit të Bashkësisë Islame në Prizren. “Peaches” ia arriti qëllimit me interpretimin e saj. E “DokuFest” është i tillë: shtron pyetje, provokon, jep edhe përgjigje. Kësisoj, pasi përtej një festivali është edhe fenomen.
