Tashmë ka përfunduar takimi mes kryeministrit Albin Kurti dhe anëtarëve të Këshillit Grevist.
Si anëtar i Këshillit Grevist, kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj, ka thënë pas takimit me kryeministrin Albin Kurti, ministren e Arsimit, Arbërie Nagavci dhe ministrin e Financave, Hekuran Murati, të martën, se “nuk ka asgjë pozitive”, duke lënë të kuptohet se greva do të vazhdojë.
Jasharaj ka thënë se takimi është mbajtur, por nuk është gjetur zgjidhja.
Ai ka thënë se të dyja palët kanë paraqitur qëndrimet e tyre.
Jasharaj ka thënë se pozitive është vetëm që dialogu ka filluar.
Ndërkohë, në orën 11:00, është njoftuar se kryeministri Albin Kurti bashkë me ministrin e Financave e Transfereve, Hekuran Murati dhe ministren e Arsimit, Arbërie Nagavci, do të mbajnë një konferencë për media.
Nga 25 gushti, administrata publike dhe mësimdhënësit janë në grevë, pasi po kërkojnë nga 100 euro shtesë në muaj, deri në miratimin e Ligjit të pagave.
Qeveria ka ofruar nga 50 euro për 4 muaj.


