Përfundon takimi i Kurtit me dy emisarët, Escobari e Lajçaku janë optimistë.
Ka përfunduar takimi mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe të dërguarit të ShBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar e përfaqësuesit të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.
Siç raporton KosovaNews të mërkurën, Escobar deklaroi se po qëndron në Kosovë për ta mbështetur dialogun mes Kosovës dhe Serbisë dhe se ka marrë garanci nga palët për shmangie të çfarëdo incidenti në veri.
Lajçak tha se bisedimet për gjetjen e një zgjidhjeje për reciprocitetin për letërnjoftime dhe targat do të vijojnë, derisa nuk dha detaje për bisedën me kryeministrin Kurti.
Përfaqësuesi i Bashkimit Evropian theksoi se “nuk pret asgjë të keqe të ndodhë në ditët në vijim”.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, pas takimit me ndërkombëtarët, deklaroi se Kosova kurrë nuk ka kontribuuar për tensione.