Një person është arrestuar në orët e vona të së enjtes nga Policia e Kosovës me urdhër të Prokurorisë Speciale, nën dyshimin për kryerjen e veprës penale “Nxitja e përçarjes dhe mosdurimit”.
Prokuroria ka njoftuar se sipas dyshimeve fillestare të autoriteteve, i dyshuari me inicialet D.Z. dyshohet se para disa ditësh, në një hapësirë publike në Mitrovicën e Jugut, ka përdhosur flamurin e Turqisë.
Me vendim të prokurorit, i dyshuari është ndaluar për 48 orë, ndërsa hetimet për rastin janë duke vazhduar në koordinim ndërmjet Prokurorisë Speciale dhe Policisë së Kosovës.


