Në kohën kur Ministri në detyrë i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, forcon marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës përmes një vizite zyrtare në Pentagon, Partia Demokratike e Kosovës vazhdon të promovojë narrativën se qeveria Kurti i ka prishur këto marrëdhënie.
Në një konferencë për media, Sekretarja e Përgjithshme e PDK-së, Vlora Çitaku, deklaroi se “Kurti ka djegur çdo urë bashkëpunimi me Uashingtonin”. Ajo akuzoi qeverinë aktuale për prishje të raporteve me aleatin kryesor të Kosovës, duke nënvizuar se vendi ka nevojë për udhëheqje të re me vizion dhe stabilitet. “Ne jemi gati për përgjegjësi. Fitorja e radhës nis më 21 qershor dhe do të kulmojë më 12 tetor”, tha Çitaku.
Por në të njëjtën ditë, në një tjetër skenë, ministri Maqedonci po zhvillonte një takim në selinë e Departamentit Amerikan të Mbrojtjes me Zëvendës Ndihmës Sekretarin për NATO dhe Evropë, David Baker. Ai e përshkroi këtë takim si “hapje të një kapitulli të ri të bashkëpunimit për mbrojtje dhe siguri” ndërmjet Kosovës dhe SHBA-së.
Sipas tij, në takim u diskutua për prioritetet dypalëshe në fushën e mbrojtjes, zhvillimin e industrisë së mbrojtjes në Kosovë përmes projekteve të përbashkëta me SHBA-në dhe përmbylljen e fazës së tretë të tranzicionit të FSK-së.
Lexo po ashtu:
“Në këtë periudhë sfiduese për paqen dhe sigurinë rajonale, me miqtë tanë amerikanë diskutuam për planet konkrete të bashkëpunimit në mbrojtje. Republika e Kosovës i vlerëson Shtetet e Bashkuara si partnerin tonë strategjik”, shkroi Maqedonci.
Narrativa politike përballë realitetit diplomatik
Ndërsa deklaratat e PDK-së përpiqen të krijojnë perceptimin e një ftohjeje në marrëdhëniet me SHBA-në, faktet tregojnë të kundërtën: institucionet e sigurisë po thellojnë bashkëpunimin strategjik me partnerin më të rëndësishëm të Kosovës. Vizita e Maqedoncit në Pentagon është një dëshmi e qartë se ura bashkëpunimi jo vetëm që nuk janë djegur, por janë duke u forcuar.
Në këtë kontekst, retorika politike e Çitakut duket më shumë si pjesë e një fushate të brendshme për përfitim elektoral sesa një pasqyrim i gjendjes reale të diplomacisë kosovare.