Legjenda e boksit dhe një nga luftëtarët më të talentuar të epokës moderne, Vasyl Lomachenko, ka njoftuar tërheqjen e tij nga boksi profesionist.
Boksieri ukrainas e përfundon karrierën e tij në moshën 37-vjeçare, me një total prej 21 ndeshjesh dhe një rekord prej 18 fitoresh dhe tri humbjesh.
Lomachenko nuk ka qenë në ring që nga maji i vitit të kaluar, kur mposhti George Kambosos Jr. në një performancë dominuese për të rrëmbyer rripin e peshave të lehta IBF.
Pas kësaj, filluan bisedimet për një ndeshje të madhe për unifikimin e titullit kundër Gervonta Davis, por një marrëveshje nuk u realizua kurrë. Ukrainasi vendosi të bënte një pushim dhe tani është e qartë se nuk do të kthehet më.
“Ju gjithmonë më keni mbështetur me kaq pasion për më shumë se dhjetë vjet. Shpresoj se do të vazhdoni ta respektoni dhe ta doni këtë sport. Paqe për të gjithë, Zoti e bekoftë popullin e tij”, u tha ai tifozëve në një mesazh lamtumire.
Lomachenko do të mbahet mend si një nga teknikët më bindës në historinë e boksit. Përpara se të bëhej profesionist, ai pati një numër të pabesueshëm prej 396 fitoresh si amator dhe vetëm një humbje. Ai gjithashtu fitoi dy medalje ari olimpike – në Pekin në vitin 2008 dhe në Londër në vitin 2012.
Në karrierën e tij profesionale, ai u bë kampion bote në tri kategori, peshë pendë, peshë superpendë dhe peshë e lehtë, në vetëm 12 ndeshje, që është një nga ngjitjet më të shpejta drejt fronit në historinë e boksit.
Pavarësisht faktit se e përfundoi karrierën e tij pa një mega-spektakël kundër Gervonta Davis, Lomachenko mbetet një nga luftëtarët më me ndikim dhe më të respektuar të gjeneratës së tij.