Pas vizitës në Kosovë, përfaqësuesi i Posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun, Miroslav Lajçak po qëndron në Serbi, për t’u takuar atje me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq. Takimin me këtë të fundit ka paralajmëruar vetë sllovaku, i cili tha se tema e kësaj vizite është monitorimi i zbatimit të marrëveshjes, dhe për t’u përgatitur për takimin e ardhshme mes Kosovës dhe Serbisë në Bruksel.
Për takimin e ardhshëm të kryenegociatorëve, Lajçak njoftoi në Prishtinë të hënën, se Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviqin do të takohen me 15 maj.
“Erdha në Prishtinë për të diskutuar me kryeministrin Kurti dhe zëvendëskryeministrin Bislimi për rrugën përpara në procesin e normalizimit pas takimit të 2 majit. Është e rëndësishme që e kuptojmë qartë sekuencën e hapave që do të ndërmerren. Unë do të kem të njëjtat diskutime nesër në Beograd”, tha Lajçak pas takimit me kryeministri Albin Kurti në Prishtinë.
Në këtë takim ai tha para gazetarëve, se qëllimi i takimit ishte të krijohet një kuptim i qartë se si do të veprohet tani e tutje.
Ndërkaq, gjatë kalimit në urën e Ibrit në Mitrovicë, ai tha se: “Ura nuk mund të hapet pa pajtimit e të dyja palëve dhe se kjo çështje duhet të diskutohet në Bruksel”.
Kjo është vizita e parë e Lajçakut në Beograd dhe Prishtinë pas takimit të 2 majit Vuçiq-Kurti në Bruksel. Në këtë takim u miratua një deklaratë për personat e zhdukur, por jo edhe ajo për Asociacionin.


