Qindra kilogramë mish që po tentohej të kontrabandohej në kushte të rrezikshme sanitare i ka parandaluar Policia Kufitare dje.
“Më 25.06.2025 në fshatin Korminjan, janë ndaluar dy automjete: njëri me targa të Serbisë, tjetri automjet pa targa, ku gjatë kontrollit të ngarkuar në njërin automjet është hasur mish dhe produkte të tjera: mish i bluar për skarë 700 kg dhe virshlle 20 kg, kurse në automjetin tjetër mish i bluar për skarë 200 kg, birra 200 shishe”, thuhet në njoftimin e policisë.
Sipas njoftimit, mishi po transportohej në kushte të rrezikshme sanitare “në këtë kohë të nxehtë duke rrezikuar edhe shëndetin e qytetarëve”, thuhet tutje në njoftim.
Policia ka treguar se për rastin është njoftuar inspektori i AUV-së, kurse automjetet dhe malli thanë se i dorëzohen Doganës së Kosovës tek Dheu i Bardhë.
Përveç parandalimit të kontrabandës me mish, policia përmes planit operativ “Rruga e malit 3” ka parandaluar edhe kontrabandë me duhan.
“Më datën 24.06.2025 në fshatin Korminjan, është ndaluar automjeti ku është vërejtur se i njëjti kishte duhan pa banderola në qese të zeza najloni të llojeve të ndryshme me peshë të përgjithshme gjithsej 275 kg. Në lidhje me rastin, iniciohet rasti ‘kontrabandë me mallra’, ku malli dhe vetura konfiskohen dhe i dorëzohen Doganës së Kosovës”, thuhet tutje në njoftim.
Kanë thënë se plani operativ ‘Rruga e malit 3’, parashihen aktivitete të planifikuara dhe aktivitete shtesë në parandalim të kontrabandës dhe akteve tjera kriminale ndërkufitare.