Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, deklaroi të martën se amendamentet kushtetuese për vettingun janë të gatshme për t’i dërguar në Gjykatën Kushtetuese që të merret një opinion.
Ajo tha se rekomandimet e Komisionit të Venecias për këtë proces janë pozitive.
Këto deklarata Haxhiu i bëri gjatë raportimit në Komisionin Ad-hoc për Zhvillimin e Procesit të Vlerësimit Kalimtar apo i njohur edhe si Komisioni i Vettingut.
Ajo në këtë rast përveç sistemit të drejtësisë, foli edhe për sistemin e sigurisë.
Haxhiu, ka paralajmëruar se proces të vettingut do të ketë edhe në sistemin e Policisë.
Sipas saj, rrethanat në veri kanë bërë që të ketë edhe më shumë dakordim për këtë proces.
Këtë ajo e tha pas kërkesës së anëtarit të Komisionit nga PDK-ja, Rashit Qalaj, që në vetting të përfshihen edhe institucionet e sigurisë.
“Për pjesën e vettingut te policia, kjo proceduralisht është më e lehtë. Siç e dini në programin qeverisës e kemi edhe vettingun në polici, por në nivele më të larta dhe te institucionet më të ndjeshme. MPB-ja formuar grupin punues dhe është duke punuar në koncept dokument”. Por, arsyeja pse nuk kanë qenë në të njëjtën linjë me Ministrinë e Drejtësisë është për shkak të rrethanave në veri. Megjithatë, ata janë duke punuar në këtë proces, i cili është shumë më i lehtë proceduralisht se sa vettingu në drejtësi. Është më lehtë sepse nuk ka nevojë për ndryshime Kushtetuese”, tha ministrja Haxhiu.


