Panairi “Trashëgimia Kulturore, Vlerat na Bashkojnë” është hapur për herë të parë në Mitrovicën e Veriut, duke ofruar një mundësi të shkëlqyer për promovimin e vlerave historike dhe kulturore të Kosovës.
Gjatë tri ditëve të panairit, vizitorët do të kenë mundësinë të njohin më nga afër artizanatet, ushqimet tradicionale dhe veshjet kombëtare që pasqyrojnë pasurinë kulturore të rajonit.Organizatorja e këtij panairi, Melihate Beshiri, njëherazi drejtoreshë e organizatës “Biznesi i Grave të Mitrovicës”, ka shpjeguar se ky është edicioni i parë i panairit në Mitrovicën e Veriut.Beshiri ka theksuar se i kanë ftuar të gjitha gratë e komuniteteve.
“Këtu i kemi ftuar gratë e komuniteteve të ndryshme, përfshirë ato nga komuniteti serb, boshnjak dhe turk. Megjithatë, edhe pse ne i kemi ftuar gratë nga komuniteti serb, ato nuk kanë ardhur” – tha Melihate Beshiri.
Ky panair do të promovojë veshjet tradicionale të punuara nga gratë, si dhe ushqimet tipike si flia, pite, ëmbëlsira dhe turshi, të cilat janë kryesisht produkt i punës së grave.Pjesëmarrëse në panair, Sade Jashari, një artizane që merret me punimin e veshjeve tradicionale, shprehu kënaqësinë që mundi të prezantojë punën e saj në pjesën veriore të Kosovës.
“Është hera e parë që jemi në panair në pjesën veriore, ne e kemi pasur pikë qëllimi dhe e kemi ëndërr jo vetëm këtu po edhe më andej, më e rëndësishmja është se kemi dalë edhe këtu me këto”- është shprehur Jashari.Ajo e quajti një moment të rëndësishëm, pasi kjo është hera e parë që janë ekspozuar veshjet e saj në Mitrovicën e Veriut.
Ndërkohë, Merita Qabra, që merret me përpunimin e pemëve dhe perimeve, si dhe prodhimin e turshive, tregoi se kishte pasur dyshime për interesimin e qytetarëve, por që me kalimin e kohës është ndjerë e inkurajuar nga prania e vizitorëve.“Kemi ardhur këtu me u prezantu me turshi, por kemi ajvar, pestil dhe të gjitha llojet e turshive. Mirë është qysh e kemi menduar, kemi menduar që s’ka me pasë fare veç jena ardhë me u prezantu pasi është pjesa e veriut”- ka thënë ajo.
Një tjetër pjesëmarrëse, Arbenita Brahimi, që merret me gatime tradicionale, përfshirë bakllava, tespishte dhe revani, tha se ka pasur interesim të mirë nga qytetarët që kanë vizituar panairin, veçanërisht për ushqimet tradicionale.“Merrem me gatime tradicionale, bakllava, tespishte, revani, të gjitha. Interesim është i mirë edhe pse është dita e parë, shpresojmë që në ditët në vazhdim të ketë interesim më të madh”- ka thënë Brahimi.
Ajo theksoi se ky është viti i dytë që merr pjesë në panair, por kjo është hera e parë që ekspozon në Mitrovicën e Veriut, duke shpresuar se interesi do të rritet edhe më shumë në ditët e ardhshme.
Ky panair është një mundësi e shkëlqyer për të ruajtur dhe promovuar trashëgiminë kulturore të Kosovës dhe për të krijuar mundësi për gratë dhe komunitetet të tregojnë dhe ndajnë veprat e tyre artizanale./kallxo.com