Trembëdhjetë vjet më parë Ramush Haradinaj u shpall i pafajshëm nga Gjykata në Hagë ku po gjykohej për krime lufte. Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së këtë e quan vulë të së vërtetës e fitore historike të Ushtrisë Çlirimtare, përballë Serbisë.
“Vendimi i pafajësisë për Ramush Haradinajn nuk ishte vetëm një drejtësi për një komandant, por një drejtësi për gjithë luftën e UÇK-së. Ishte dëshmi se edhe kur përballemi me gjykime politike, e vërteta e luftës sonë del fituese”, thotë OVL e UÇK-së.
Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së ka shprehur besimin se e njëjta të ndodhë edhe me ata që sot janë të ulur në bankën e të akuzuarve në Dhomat e Specializuara në Hagë.
“Sot, si atëherë, OVL UÇK qëndron me të njëjtin besim të palëkundur, derisa drejtësia të konfirmojë pafajësinë e Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit, Jakup Krasniqit, Salih Mustafës, Pjetër Shalës, Fadil Fazliut, Isni Kilajt dhe Bashkim Smakajt.
Organizata e Veteranëve të Luftës thotë se, lufta e UÇK-së nuk është njollosur kurrë, as në fushëbetejë, as në gjykatë.
“Ashtu siç u provua e drejta për komandantët e tjerë, edhe për ta do të vijë dita e bardhë, sepse lufta e UÇK-së nuk është njollosur kurrë, as në fushëbetejë, as në gjykatë”, thotë OVL e UÇK-së.


