Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL e UÇK-së) ka reaguar ndaj paralajmërimeve të ekipit mbrojtës të Jakup Krasniqit, që sipas tyre, sugjerojnë se Prokuroria në Hagë po përgatit dënime të reja ndaj krerëve të UÇK-së.
Në një deklaratë publike, OVL e UÇK-së e cilëson këtë një “alarm të rëndë për drejtësinë dhe shtetin”, duke shprehur shqetësimin e thellë për drejtimin që ka marrë procesi gjyqësor në Hagë.
Sipas OVL-së, ky proces nuk ka për qëllim zbardhjen e së vërtetës, por ndëshkimin politik të atyre që udhëhoqën luftën për çlirim të vendit.
“Shqetësimet e publikuara sot nga ekipi mbrojtës i z. Jakup Krasniqi, që paralajmërojnë përgatitjen e dënimeve të tjera ndaj krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nga Prokuroria në Hagë, janë alarm i rëndë për drejtësinë dhe shtetin tonë. Këto paralajmërime konfirmojnë frikën e vazhdueshme se procesi gjyqësor ndaj drejtuesve të UÇK-së nuk ka për qëllim zbardhjen e së vërtetës, por ndëshkimin politik të atyre që udhëhoqën luftën për çlirim”, thuhet në reagim.
Tutje në reagim thuhet se “janë bërë katër vjet e gjysmë që nga momenti kur krerët dhe pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës po mbahen në paraburgim në Hagë, në rrethana që çdo ditë më shumë dëshmojnë karakterin e padrejtë dhe të njëanshëm të këtij procesi”.
“Dënimet e deritanishme, përfshirë ato ndaj Sali Mustafës dhe Pjetër Shalës, nuk kanë qenë asgjë tjetër përveçse vendime të padrejta që, në emër të drejtësisë, kanë synuar ta godasin luftën tonë çlirimtare. Luftëtarët e lirisë që sot gjenden pas grilave, janë burrat që kontribuuan në çlirimin e vendit dhe themelimin e shtetit të Kosovës. Në vend që të nderohen, ata po përballen me një proces që më shumë ngjan me ndëshkim politik sesa me drejtësi ndërkombëtare”, thuhet në reagimin e tyre.
Në përfundim, OVL e UÇK-së u bën thirrje institucioneve të Republikës së Kosovës që të mos heshtin përballë këtij zhvillimi, por të reagojnë me seriozitet dhe të mbrojnë të vërtetën e luftës çlirimtare.
“Kjo gjykatë, që në esencë nuk ka për synim vetëm ndjekjen e individëve të caktuar, po tenton të dëmtojë legjitimitetin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe, përmes saj, edhe shtetësinë e vetë Kosovës. Çdo dënim i mundshëm ndaj drejtuesve të UÇK-së do të paraqiste jo vetëm një padrejtësi personale, por një sulm të drejtpërdrejtë ndaj vetë frymës së lirisë dhe sakrificës së popullit tonë.
I bëjmë thirrje institucioneve të Republikës së Kosovës që të trajtojnë me seriozitet dhe vëmendje të plotë zhvillimet në këtë proces. Heshtja institucionale në këto rrethana është e papranueshme. Është detyrë shtetërore dhe kombëtare që të mbrohet e vërteta e luftës sonë çlirimtare dhe të kërkohet drejtësi reale, jo ndëshkim politik”, thuhet më tej në reagim.