Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se qëndrimi i Kosovës për planin franko-gjerman është i qartë: është platformë e mirë që ka qëllim më tepër paqe e stabilitet në rajon.
Por, Osmani thotë se ka shumë gjëra që duhet biseduar, si çështja e garancave ndërkombëtare sa i përket funksionalitetit të brendshëm të Kosovës e po ashtu edhe garancave sa i përket anëtarësimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare.
“Qëndrimet e Republikës së Kosovës sa i përket planit franko-gjerman kanë qenë të qarta që nga propozimi i dokumentit në shtator. E kemi konsideruar gjithnjë si platformë të mirë, si iniciativë që ka për qëllim më shumë paqe e stabilitet në rajonin tonë. Si iniciativë që dinamizon dialogun dhe si bazë e mirë, platformë e mirë për diskutime të mëtejme. Të tillë si platformë të mirë e të pranueshme, ashtu e kkonsiderojmë edhe sot, por gjithnjë duke potencuar se ka akoma shumë gjëra që duhet sqaruar në proces, ndër të tjera të negociohet plani i zbatimit. Sekuencimi i obligimeve që dalin nga kjo draft-marrëveshje, e për Kosovën është tejet me rëndësi që të negicojmë, në këtë rast jo me Serbinë, por me partnerët tanë ndërkombëtarë, pra garancatë ndërkombëtare që ne i marrim sa i përket ruajtjes së funksionalitetit të brendshëm të Kosovës, që mos të shnëdërrohet në shtet jofunksional me më shumë probleme sesa zgjidhje. E dyta garancaa që marrim në rrafshin ndërkombëtarë, sa i përket njohjeve e anëtarësimit të Kosovës në organizatë ndërkombëtare. Këto janë diskutime që ende nuk janë shterur”, ka thënë Osmani në konferencë për media në Podgoricë pas takimit me presidentin e Malit të Zi, Milo Gjukanoviq.
Osmani ka thënë se do të ketë diskutime të mëtejme, si dhe takime të nivelit të lartë në Bruksel. Osmani ka thënë se ka 30 marrëveshje të nënshkruar në Bruksel, e pjesën dërrmuese të tyre Serbia nuk i zbaton.
Osmani për Asociacionin: Duhet refuzojmë ide që shkaktojnë ndasi e destabilitet
Sa i përket Asociacionit, Osmani, ka thënë se Kushtetuta e Kosovës nuk lejon një Asociacion monoetnik, e po ashtu nuk lejon një me kompetenca ekzekutive.
“S’mund të ketë modele që kanë çuar në dështim. E përmenda modelin e Republika Sërpskas, kur flasim për modele evropiane, duhet kuptuar se duhet synuar modele evropiane të shekullit XXI, që funksionojnë në shtetin tonë e rajonin tonë, sepse jo gjithçka që funksionon në një shtet perëndimor, që nuk ka fqinj si Serbia, që tenton t’ia minojë vazhdimisht pavarësinë, domosdosmërish funksionon te ne. Gjithë esenca është kjo. Nuk jemi kundër të drejtave të komunitetit serb në Kosovë. Përkundrazi me vetë propozimin tonë, në gusht të vitit të kaluar, çështja e të drejtave të pakicave ishte në tavolinë. Por, jemi kundër që t’ia japim Serbisë një instrument kontrolli nëpërmjet të cilit do të vazhdojë të minojë pavarësinë, sovranitetin e integritetin territorial të Kosovës, e rrjedhimisht sjellë më shumë influencë ruse në gjithë rajonin”, tha Osmani.
Osmani ka thënë se Kosova i beson partnerëve ndërkombëtarë, por nuk i beson presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
“Kur flitet për planin franko-gjerman i mbështetur nga BE-ja, për disa mund të jetë copë letre, për disa është propozim që ka rëndësi për karrierë, por për ne është e ardhmja jonë, jeta jonë, e ardhmja e fëmijëve tanë. Është kaq me rëndësi që me ngulm të mbrojmë interesat e shtetit tonë, me ngulm të refuzojmë ide që shkaktojnë segregacion, ndasi, e destabilitet, kështu besojmë fuqishëm se po punojmë për të tashmen e të ardhme më të mirë jo vetëm të qytetarëve të Kosovës, por më shumë paqe e stabilitet për gjithë rajonin tonë. Rajoni meriton paqe e stabilitet afatgjatë, e jo vetëm zgjidhje që duken të mira për momentin, e pastaj fillojnë kriza. Kemi besim të plotë në propozime të miqve tanë ndërkombëtarë, kemi besim të plotë tek ata, por s’kemi aspak besim te Vuçiqi”, ka thënë Osmani.
Presidentja e Kosovës ka thënë se është vetëm një shtet në rajon që nuk dëshiron raporte të mira ndërfqinjësore, pra Serbia.
Ajo ka thënë se nëpërmjet Serbisë, Rusia po e shtrin ndikimin në Ballkanin Perëndimor. Ndërsa për Kosovën, ka thënë se synim të qartë e ka integrimin euroatlantik.