Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka reaguar pas arrestimit të qytetarit të Kosovës, Arbnor Spahiu, nga autoritetet serbe, duke e cilësuar këtë veprim si arbitrar dhe të motivuar politikisht.
Osmani tha se arrestimet e qytetarëve të Kosovës nga Serbia gjatë kalimit kufitar janë veprime të ngjashme me ato të regjimeve shoviniste të viteve ’90.
“Serbisë nuk i interesojnë as të drejtat e njeriut, as konventat ndërkombëtare, e as standardet evropiane. Siç po dëshmohet çdo ditë e më shumë, e vetmja mendësi që i përshtatet është ajo e diktaturave me frymë të së kaluarës,” deklaroi Osmani.
Ajo theksoi se arrestimi i Spahiut është bërë mbi akuza tërësisht të rreme dhe nuk ka të bëjë me sundimin e ligjit, por me praktikat e një regjimi që refuzon të përballet me të kaluarën dhe që keqpërdor ligjin për të kërcënuar qytetarët e Kosovës.
Presidentja kërkoi ndaljen e menjëhershme të asaj që e quajti “fushatë të arrestimeve politike” nga Serbia, duke e cilësuar këtë si rrezik për përpjekjet për dialog dhe normalizim të marrëdhënieve.
“Serbia duhet të mbahet përgjegjëse ndërkombëtarisht për veprimet e saj arbitrare,” theksoi Osmani.
Osmani njoftoi se Kosova ka pasur kontakte të vazhdueshme me Zyrën Ndërlidhëse në Beograd dhe ka kërkuar reagimin e shteteve të Quint-it dhe Misionit të BE-së që këto shkelje të mos kalojnë pa përgjegjësi.
Në fund, Presidentja përsëriti thirrjen drejtuar qytetarëve të Kosovës që të shmangin kalimin nëpër Serbi, duke i konsideruar këto arrestime si pjesë të tendencave destabilizuese të shtetit serb.