Presidentja e vendit, Vjosa Osmani tha se paqja është themeli i çdo gjëje për çka angazhohen. Ajo theksoi se gratë dhe fëmijët në shumë vende të botës janë duke shkruar të njëjtat fjalime qe dikur i përjetonte Kosova.
Kështu u shpreh ajo në hapje të Forumit Ndërkombëtar për Gratë, Paqen dhe Sigurinë.
Osmani tha se tema e forumit të sivjetmë është thirrje për të ndërtuar paqe.
“Pak më shume se dy dekada më parë, fëmijët e këtij vendi ishin dëshmitarë të asaj që asnjë fëmijë nuk duhet t’i shoh. Ishin gratë e këtij vendi të cilat na i mbajtën zemrat gjallë. Asnjëherë nuk pranuan te shihen si viktima por si ndërtuese të paqes. Dhe këtë vazhdojnë ta bëjnë çdo ditë qe kalon”, tha ajo.
Kryetarja e shtetit tha se fëmijët bartin barrën e luftës por edhe se janë mbrojtës të ardhshëm të drejtësisë.
Osmani pret delegacionet ndërkombëtare për Forumin Ndërkombëtar për Gratë, Paqen dhe Sigurinë
“Paqja është një mundësi e re për t’u ngritur, për të prosperuar dhe për të gjallëruar. Mjedisi global i sigurisë është i rrezikshëm nga lufta globale, krimet kibernetike. Viktimat janë gjithmonë të njëjta, gratë, fëmijët, edhe ata te pa zë”, u shpreh ajo.
Hapjen e Forumin Ndërkombëtar për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, në Prishtinë, e ka bërë Venesa Sulimani, vajza e të mbijetuarës së dhunës seksuale, Shyrete Sulimani.
Ajo tha se nënës së saj, Shyretes, i janë dashur 20 vjet qe ta gjejë zërin për të treguar atë që kishte përjetuar.
“Në moshën 4 vjeçare unë isha dëshmitare e një krimi te luftës. Për 15 vite të gjata, shëndeti im mendor dhe fizik ishte i rrezikuar rëndë. Para dy vitesh që unë vendosa që kjo të mos na shkatërronte më. Lufta ka shumë viktima, madje edhe pasi lufta të ketë përfunduar”, tha ajo.
Forumi Ndërkombëtar për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, është organizuar nën udhëheqjen e presidentes Vjosa Osmani.
Sot dhe nesër do të mbahen mbi 30 panele diskutime, me mbi 150 folës.
Ky është edicioni i tretë, ku tema kryesore e forumit do të jetë “Kodi i Sigurisë për Brezin Tonë”